Nesër nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës V. e Leposaviqit

Të mërkurën do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për peticionin e shkarkimit të kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit.

Sanja Krtiniq, anëtarja e grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka konfirmuar për KOHËN se mbledhja e nënshkrimeve do të nisë nga ora 9, në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve.

“Mund të ju konfirmoj se mbledhja e nënshkrimeve fillon nesër në mëngjes, nga ora 9”, ka thënë Krtiniq.

Ndërkohë Veselin Radoviq, i grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka konfirmuar për “Kosovo Online” se po ashtu nesër nga ora 9 do të nisë mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Hetemit.

“Është koha e fundit që të përfundojë veprimet kundër popullit serb”, tha Radoviq.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime, në Mitrovicë të Veriut 3 mijë e 640 derisa në Zubin-Potok 1 mijë e 347 sosh.

Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok përfundon më 22 janar, ndërsa në Zveçan më 27 janar.