Nesër në Shkup regjim i posaçëm i komunikacionit për shkak të garës së vrapimit malor

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se nesër nga ora 07:00 në Shkup do të ketë regjim të posaçëm të komunikacionit Shkup për shkak të garës së vrapimit malor “Vodno-Matka Trails 2026”, njofton Portalb.mk.

“Nesër duke filluar në orën 07:00, me ndërprerje të komunikacionit në tre intervale kohore prej nga pesë minuta (nga ora 07:00 deri në orën 07:05, nga ora 08:00 deri në orën 08:05 dhe nga ora 09:00 deri në orën 09:05), do të mbahet gara e vrapimit malor e titulluar ‘Vodno-Matka Trails 2026’, me pikënisje dhe përfundim në kompleksin ‘Makedonsko Sello’, ndërsa traseja e lëvizjes do të zhvillohet në një pjesë të rrugës publike nga kompleksi ‘Makedonsko Sello’ – fshati Nerez i Sipërm (te xhamia), pas çka traseja do të vazhdojë në shtigjet malore.
Për këto arsye, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit, ku qarkullimi do të ridrejtohet nëpër rrugët përreth”, njoftojnë nga MPB-ja.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel qytetarëve që të respektojnë urdhrat e dhëna të nëpunësve policorë nëpër linjat rrugore ku do të zhvillohet ngjarja.