Në vigjilje të festave të nëntorit shkolla “Kongresi i Manastirit” në Shkup prezantoi aktivitet të larmishëm
Në kuadër të festave të nëntorit SHFK “Kongresi i Manastirit” në Çair, Shkup organizoi aktivitet të larmishme kulturore të përgatitur nga fëmijët e klasave të ndryshme së bashku me mësueset e tyre, njofton Portalb.mk.
Nëpërmjet vallëzimeve popullore dhe moderne, recitimeve dhe artit figurativ nxënësit përcollën nëpërmjet tyre rëndësinë e festive kombëtare.

Në këtë aktivitet kulturor, nuk munguan edhe vizatimet e figurave të njohura shqiptare, vizatime të përgaditura nga fëmijët së bashku me mësuesen e artit figurativ Alma Lleshi.

Alma Lleshi arsimtare e artit figurativ pranë shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” Shkup për Portalb.mk tha se fëmijët kanë dëshirë dhe energji të madhe për të sjell vizatime për figurat dhe ngjarjet e rëndësishme kombëtare.
“Si gjithmonë për festat e nëntorit angazhohemi se bashku me fëmijët, për të përgaditur vizatime me tema të ndryshme, dëshira dhe entuziazmi nga ana e fëmijëve është shumë i madh për të sjellë vizatimë me ngjyra të shumë llojshme, me temat adekuate për festat tona kombëtare”, tha Alma Lleshi.
Pjesë e këtij eventi ishte edhe Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, ku në fjalën e tij përshëndetëse tha se ky ishte një moment i veçantë, që i dha mundësinë të reflektojë mbi rëndësinë e këtij institucioni dhe trashëgiminë që mbart ai për komunitetin tonë.
“Pjesëmarrja ime në këtë ngjarje më bëri të kuptoj edhe më thellë se arsimi është baza e çdo shoqërie dhe se është përgjegjësia jonë të mbështesim këtë institucion, duke e transformuar atë në një vend ku brezat e rinj të rriten dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, tha Ganiu.
Në kuadër të festave të nëntorit në vend po mbahen aktivitete të ndryshme.