Në vend që të shkonin te qytetarët, paratë e BE-së për faturat e energjisë elektrike përfunduan në EMV
Bashkimi Evropian ndau miliona euro për të mbështetur qytetarët gjatë krizës energjetike, dhe publiku ende nuk e di saktësisht se si u shpenzuan këto para. Në vend të ndihmës direkte për familjet, një pjesë e parave shkoi për kompaninë shtetërore EMV, sipas një hulumtimi nga rrjeti i qytetarëve “Bankwatch”. Në të njëjtën kohë, subvencione deri në 90 përqind u shfaqën në fatura, ndërsa çmimi mbeti i njëjtë, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Gjatë një viti, qeveria e mëparshme e udhëhequr nga LSDM dhe BDI mblodhi 72 milionë euro ndihmë evropiane për t’u përballur me krizën energjetike – por se ku përfunduan saktësisht këto para, publiku nuk e di për momentin, sipas një hulumtimi të ri nga rrjeti i qytetarëve “Bankwatch” (CEE Bankwatch Network).
Këto janë para nga Bashkimi Evropian të marra në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit për Energjinë që Maqedonia e Veriut nënshkroi në fillim të vitit 2023, dhe përmes të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor morën ndihmë financiare prej një miliard eurosh.
Sipas Planit, paratë duhej t’u arrinin qytetarëve drejtpërdrejt si subvencione për faturat e energjisë elektrike, veçanërisht për kategoritë më të cenueshme, por në vend të kësaj, një pjesë e tyre përfundoi në kompaninë shtetërore SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV).
Përveç kësaj, sipas Bankwatch, është e diskutueshme që, megjithëse Qeveria në atë kohë pretendonte se fondet ishin përdorur për të subvencionuar energjinë elektrike, qytetarët vazhduan të merrnin të njëjtat fatura të llogaritura sipas tarifave të atëhershme të Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE).
Në atë kohë, faturat e energjisë elektrike përmbanin një tabelë në të cilën Qeveria pretendonte se përmes EMV-së subvenciononte mbi 70 përqind, ndonjëherë deri në 90 përqind, të energjisë elektrike të konsumuar nga qytetarët.
Qeveria në atë kohë thoshte se nëse nuk do të ishin ata, faturat do të kishin qenë edhe më të larta, por realiteti, sipas hulumtimit të Bankwatch, ishte krejtësisht ndryshe – shumat e faturave të energjisë elektrike mbetën të njëjta, dhe çmimi që qytetarët paguanin ishte sipas tarifave të përcaktuara nga Komisioni Rregullator i Energjisë.
“Në fakt, ata po tregonin se po subvenciononin – 80, 90 përqind – dhe ne po paguanim të njëjtin çmim që ishte vendosur nga Komisioni Rregullator i Energjisë”, i tha Radios Evropa e Lirë Davor Pehçevski nga Bankwatch, i cili mori pjesë në përgatitjen e hulumtimit të titulluar “Një pyetje për një miliard euro – Çfarë u arrit me Paketën e Mbështetjes së Energjisë për Ballkanin Perëndimor?”.
REL kërkoi një shpjegim nga Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimovski, i cili u përgjigj se ishte e vërtetë që qytetarët paguanin me çmimin e përcaktuar nga KRRE në atë kohë, por se faturat në fakt tregonin se nëse EMV do ta kishte shitur energjinë elektrike me çmimin e atëhershëm të tregut në bursa, shuma do të kishte qenë më e lartë.
Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski pretendoi në atë kohë se tabelat e faturave të energjisë elektrike nuk ishin propagandë, por një mënyrë që qytetarët të informoheshin për subvencionet që shteti ofron për të gjithë tregun e rregulluar të energjisë elektrike. Ai tha se pa ato subvencione, qytetarët do të kishin paguar çmime dukshëm më të larta, duke iu referuar çmimeve të atëhershme të tregut në bursat evropiane, të cilat arrinin deri në 500 euro për megavat-orë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.