Në Suedi, stuhia rrëzoi trenin, gjendja më e rëndë në 25 vitet e fundit

Suedia është përfshirë nga moti i keq, me shira të dendur që kanë shkaktuar dëme të shumta, raporton TopChannel. Stuhia ka rrëzuar një tren, ndërsa tre persona kanë mbetur të lënduar. Ata u dërguan në spital për të marrë trajtimet mjekësore.

Treni i pasagjerëve, i cili transportonte rreth 120 persona, ishte nisur për në qytetin e Sundsvall, kur dy nga katër vagonët dolën nga shinat, për shkak të prishjes së një pjesë të hekurudhës.

Agjencia kombëtare suedeze e motit ka lëshuar alarme të verdha në disa zona, teksa ka paralajmëruar se erërat e forta, përmbytjet dhe shirat e dendur do të vijojnë.

Ndërkohë prezentë në zonat më të rrezikuara është alarmi i kuq, deri në përmirësimin e situatës.

Sipas autoriteteve gjendja pritet të jetë më e rënda në 25 vitet e fundit, ndërsa është bërë thirrje për të pasur kujdes. Shirat kanë rritur nivelin e ujit në rrugë dhe lumenj, ndërsa pasojat mbeten të rënda. Ekipet e emergjencës janë në gatishmëri, për të ndihmuar personat në nevojë. Njëkohësisht ndodhen në teren së bashku me mjetet e rënda për të pastruar rrugët e bllokuar nga dherat.