Në seancën e ardhshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të miratojë projektet që u dorëzuan nga komunat

Komunat së shpejti do t’i marrin paratë për realizimin e projekteve që i kanë dorëzuar në Qeveri, të cilat duhet të financohen përmes kredisë hungareze, në vlerë prej 500 milionë euro, shkruan Alsat. Pasi të përfundojë procesi i vlerësimit do të mësohet nëse do të ketë para për të gjitha projektet.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka pranuar 350 projekte nga 80 komuna.

“Në çdo moment presim që të vijnë vendimet e tyre të propozuara që të miratohen në seancën e Qeverisë. Kur të përfundojë procesi i vlerësimit, atëherë do t’i vendosim në seancën e ardhshme të Qeverisë, edhe nëse përfundojnë para të martës, mund të thërrasim edhe një seancë të jashtëzakonshme për të mos humbur ditë”, tha Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Ndryshe, kryetarët e komunave janë në vitin e fundit të mandatit të tyre dhe përveç se që kanë trashëguar një arkë komunale pothuajse plot me para, ato gjatë viteve të fundit për shkak të krizës ekonomike kanë marrë edhe ndihmë financiare nga buxheti qendror, por kanë marrë para edhe përmes programit TAV, por në muajin dhjetor në llogaritë e tyre janë transferuar edhe 32,5 milionë euro për projekte kapitale.

Tani sërish është aktual konkursi në të cilin kryetarët e komunave kanë dorëzuar projekte për të marrë një pjesë të 250.000 milionë eurove që ua ka premtuar kryeministri Hristijan Mickoski nga kredia hungareze.