Në Operën e RMV-së u shfaq “Luçia nga Lamermuri”, një prej operave të mëdha në letërsinë operistike botërore

Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup mbrëmë u shfaq një nga operat bel-kanto kryesore në letërsinë operistike botërore, “Luçia nga Lamermuri” nga kompozitori i madh italian, Gaetano Doniceti, transmeton Portalb.mk.

Dirigjent i kësaj opere psikologjikisht magjepsëse, ishte i ftuari Dario Salvi (Skoci/Itali), regjisori dhe skenografi Lev Pulieze (Itali), kostumografja Marija Pupuçevska, mjeshtër i koncertit Jane Bakevski, ndërsa mjeshtri i korit: Gjurgjica Dashiq, Jasmina Gjorgjeska.

Në shfaqjen e operës performuan ekipi solist vendor, i udhëhequr nga Ana Durllovski në rolin kryesor, e cila vazhdon të arrijë suksese në skenën operistike europiane dhe botërore. Morën pjesë edhe Marjan Jovanoski, Gjorgi Cuckovski, Nikolla Stojçeski, Aleksandar Stefanoski, Marika Popoviq dhe Jane Dunimaglloski të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.

Burhan Dibrani, shef i sektorit të marketingut, marrëdhënieve me opinionin për Portalb.mk tha se publiku ishte tejet i fascinuar nga shfaqja e mbrëmshme dhe publiku duartrokiti deri sa u lëshua sipari i mbrëmjes.

“Luçia nga Lamermuri” është operë tragjike e shkruar në dy akte. Salvatore Kamarano e ka shkruar libretin bazuar në novelën e Ser Valter Skotit “Nusja nga Lamemuri”. Premiera e operës është shfaqur më 26 shtator të vitit 1835, në Teatrin San Karllo në Napoli. Veprimi në veprën origjinale të Ser Valter Skotit, bazohet në ndodhinë e vërtetë në historinë e familjes Ster. Ngjarja zhvillohet në Lamermur, vend në Skoci në vitin 1669. Libreti i operës përmban bazën e tregimit të Ser Skotit, por Salvatore Kamarano në zhvillimin dramaturgjik të veprimit, vendos personazhe të tjerë të cilët në veprën e Skotit nuk ekzistojnë.

Pamje nga shfaqja e operës “Luçia nga Lamermuri” nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN
Pamje nga shfaqja e operës “Luçia nga Lamermuri” nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN

Se çfarë surpriza e presin publikun gjatë muajit dhjetor Dibrani edhe më tej shtoi se më datë 14 dhjetor, me fillim nga ora 20:00. në skenën e Operës dhe Baletit Nacional, dashamirët e muzikës klasike dhe operës do të kenë një mundësi unike për të shijuar performancën e një prej operave më të mëdha të të gjitha kohërave “Mbretëresha e Spades” nga Petar Ilic Caikovski, interpretuar nga solistët, kori, orkestra dhe baleti i Operës Shtetërore të Varnës.

Në datat 20 dhe 24 dhjetor, me fillim nga ora 20:00, në skenën e madhe të Operës dhe Baletit Nacional do të shfaqet shfaqja e baletit në dy akte “Don Kishoti” i Ludëig Minkus, me koreografi të Viktor Yaremenko nga Ukraina. Dirigjent i shfaqjeve është i ftuari nga Armenia, Eduard Ambartsumyan.

Më 20.12.2024, Hristina Nacevska dhe Balazs Locei (Hungari) do të interpretojnë në rolet e Kitri dhe Basil, dhe më 24.12.2024: Natasha Trendafilova Gitsev dhe Viktor Ishchuk (Ukrainë), Ansambli i Baletit dhe Orkestra Kombëtare e Operas dhe Baleti do të performojë së bashku me fëmijët e departamentit të baletit të DMBUC “Ilia Nikolovski-Luis” “, tha Dibrani.

Pamje nga publiku në shfaqjen e operës “Luçia nga Lamermuri” nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN
Pamje nga publiku në shfaqjen e operës “Luçia nga Lamermuri” nga Gaetano Doniceti. Foto: OBN