Në Maqedoninë e Veriut dikush duhet të mbajë përgjegjësi për lojërat e fatit, paralajmëroi Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar ndëshkim të personave përgjegjës në të kaluarën për shkeljet ligjore në lidhje me lojërat e fatit, transmeton Poralb.mk.

MIA raportoi që kryeministri informoi gjithashtu se për lojërat e fatit është duke u përgatitur një zgjidhje ligjore.

“Sepse ne jemi thellësisht të bindur se ligjet janë shkelur këtu dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljen e ligjeve sepse ne duhet të lëmë pandëshkueshmërinë në të kaluarën. Kushdo që ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën duhet të mbajë përgjegjësi dhe këtu nuk duhet të kemi asnjë dyshim… Së dyti, duhet të rishikojmë qasjen, pra metodën e taksimit, mënyrën e kushteve, vendndodhjen, etj. Pra, do të jetë një zgjidhje ligjore më gjithëpërfshirëse, e cila sigurisht do të jetë më e drejtë”, shtoi Mickoski.

Ndryshe, pasi ndryshimet në ligjin për Lojërat e fatit nuk morën vota të mjaftueshme nga deputetët e Maqedonisë së Veriut, të njëjtat ngelën në pa miratuara. Nga Lëvizja “Antibixhoz” ishin të zhgënjyer nga deputetët. Ata më herët kishin organizuar edhe protesta për largimin e këtyre objekteve nga vendbanimet, duke kërkuar edhe mbylljen e tyre.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.