Në kujtim të Xhevdet Bajrës

Më 22 qershor bëhen dy vjet nga vdekja e parakohshme e poetit dhe mikut të paharruar, Xhevdet Bajrës. Me të, gjatë vitit 2001, kemi pasur një letërkëmbim të shkruar me gjuhë të drejtëpërdrejtë dhe të pakompromis, të cilin, tani kur Xhevdeti nuk është më fizikisht në mesin tonë, kam vendosur ta botoj kur t’i vijë koha…

Megjithatë, po e kujtoj sot Xhevdetin me 3 letrat e mëposhtme, që mund të jenë interesante edhe për lexuesit e PortAlb-it.

30 maj 2001

I dashur Fatmir,

Po e vazhdoj muhabetin aty ku e lamë dje. Ali Podrimja është shkrimtar dhe njeri i shkëlqyeshëm. Më 1988, Ai ma botoi librin pa më parë kurrë në jetë, që për shiptarët nuk është dhe aq e zakonshme. Pastaj u kishte thënë njerëzve që e ka zbuluar një poet të talentuar nga Rahoveci. Për mua kjo ishte një përkrahje të cilën sall kam mundur ta ëndërroj. Aliu ishte i bindur se vepra meritonte të shpërblehej, po këtë nuk e mendonin anëtarët e jurisë, sepse isha poet që vija nga një provincë, si Rahoveci. Dhe kjo nuk mund të lejohej, se prishej kierarkia letrare. Prandaj në jetën tonë kulturore ndodhin çudira.

Të pata shkruar njëherë se, derisa isha në Prishtinë, Aliu vinte shpesh në banesën ku jetoja dhe m’i lexonte poezitë e tij më të reja. Kurrë s’do t’ia harroj këtë, ishte i madhërishëm. Edhe në ca situata të palakmueshme me shkrimtarë, ai gjithnjë pozicionohej ashtu siç i ka hije emrit të tij. Me një fjalë, Aliu është ndër të rrallët për të cilin e hjek kapelën në shenjë respekti. Më duhet ta them se edhe tani, porsa është punësuar si redaktor i të përditshmes Rilindja, kishte marë ca poezi nga “Liria e tmerrit” dhe i ka botuar, ndërsa në javën që pason e kishte botuar shkrimin e David Huertës për librin tim. Dua të them se Aliu nuk vuan si disa smirëzinj. Përkundrazi, Ai është i vetëdijshëm që unë jam nxënësi i Tij dhe se sukseset e mia janë edhe të Tijat.

Nejse. Jam pak i lodhur, sepse porsa u ktheva nga një darkë lamtumirëse për nder të poetit amerikan Indran Amirthanayagam. Botuesi i tij e ka organizuar sepse Indrani (punëtor i ambasadës amerikane në Meksikë) po kthehet në Amerikë dhe në shtator po shkon të punojë në ambasadën amerikane në Indi. Kalova shkëlqyeshëm, takova shkrimtarë dhe shkrimtaruca, shkrimtare dhe shkrimtarica dhe ishte Ok. Presidenti i Pen klubit meksikan s’më është hjekë qafe tërë natën dhe më ftoi në takimin e ardhshëm të Pen-it. Poashtu më tha se do të më antarësonte në Pen klub. Mendonte se do të vazhdoj të qëndroj në Meksikë?! Nganjëherë po mendoj se vdekja është kah më fton atje?! Ndoshta Kosova s’është vend i bukur për të jetuar por është vend i bukur për të vdekur. Mallkim apo fat është ky nuk e di. Unë e di se si do të trajtohem atje dhe si më trajtojnë këtu, por edhe pasha të më bëjnë s’mund të qëndroj më. Disi më duket se po më soset koha, se më ka mbetur edhe pak etj. S’di ç’dreqin bëjnë shqiptarët nëpër botë? Unë s’i kuptoj dot. Të gjitha paratë e botës t’i kem e të mos jem në Kosovë është një hiçgjë për mua. Eshtrat e të parëve apo eshtrat e bashkëkohanikëve të mi të vdekur më ftojnë. Jo nën dhé, por më ftojnë të gjendem pranë tyre. Të mos flas për të gjallët, aman se plasa. E dua një jetë të qetë, familjen, miqtë dhe letërsinë. Shqipja është gjuha ime, ani pse s’më mjafton të merrem vesh me shqiptarë, nëpërmjet saj merrem vesh me njerëz.

Ditë të bukur për Ty!

01 qershor 2001

I dashur Xhevdet,

Më bëhet qejfi që të është dhënë mundësia të takohesh me krijues të mëdhenj. Këto gjera do t‘i bënin nder çdo poeti. Më gëzon edhe oferta për t’u bërë anëtar i Pen klubit meksikan. Më intereson a ke mundësi të jesh anëtar i atij klubi edhe pasi të kthehesh në Kosovë? Një mundësi e tillë mbase do të ndihmojë t’i mbash të pakëputura lidhjet e krijuara me Meksikën.

Pavarësisht nga e dhëna se edhe mua nganjëherë më mërzitet jeta në kasabanë time, kur ndalem e mendoj më racionalisht, e arsyetoj plotësisht dëshirën tënde të madhe për t’u kthyer në Rahovec. Ke të drejtë kur thua: “Atje ndoshta s’është vend i bukur për të jetuar, por është vend i bukur për të vdekur”. Jam i sigurt se edhe unë do veproja njësoj në kushte të ngjashme, po kur i bëhet shpirti pelin njeriu prihet nga palca kurrizore dhe i jep kosës pa kontroll.

Se si do trajtohesh në Kosovë e marr me mend, po s’ke ç’i bën kësaj pune. Në Shqiptari mospërfillja e artistit është barometri më i saktë i katandisjes së një kulture. Kë përfillën shiptarët me gjallje? Ne nuk i durojmë prishësit e notës mesatare, nuk i njohim kuotat tona, nuk i pranojmë të parit, sepse i kemi shumë të fuqishëm hiçat. Prandaj çdonjëri prej nesh, nis të bëjë diçka nga seftja jonë e famshme.

Kur isha në Amerikë, më 1996, cicerones së një galerie të madhe arti në Vashington, me prejardhje nga jugu i Maqedonisë së Veriut, i bëri përshtypje mënyra ime e komunikimit me pikturat e ekspozuara, ndaj më tha: A e di se tipat që kanë shijen tënde për artin, këtu në Amerikë bëhen njerëz të sukseshëm? Fillimisht mendova se bën shaka, por, më vonë, sado që nuk bëj kollaj bajram me veten dhe jam koshient për modestinë e aftësive të mia, e kuptova se bota e qytetëruar nuk lejon t’i shkojë fir asnjë gram truri e përvoje.

Shëndet e të mira!

02 qershor 2001

I dashur Fatmir,

Natyrisht që gjithkund në botën demokratike vlejnë rregullat e caktuara, të cilat nuk lejojnë nënçmimin e asnjë gram truri, përkundrazi, ata stimulohen në mënyra të ndryshme dhe zënë vendin e caktuar në shoqërinë përkatëse. Mua më dhimbset ta zëmë Fadili, të cilin e patën lutur ca njerëz që të shkojë në Amerikë dhe i kishin premtuar se do ta bëjnë yll në media, por ai edhe pse e di si funksionon bota, asnjëherë nuk mendoi ta le Kosovën, pavarësisht faktit se mezi ia del ta mbajë shpirtin gjallë.

Kam parë dhe unë shumë ekspozita të suksesshme në Meksikë, por asnjëri nga autorët s’mund t’i afrohet mikut tonë, Nehat Beqirit. Ne kemi njerëz të sukseshëm që i respekton bota, ndërsa në Kosovë askush s’i përfill. Mjerisht, kjo flet për shkallën e qytetërimit tonë. Logjika e “seftes” na ka kushtuar dhe do të na kushtojë akoma më shumë. Por për këtë askush s’na ka faj, sepse fajtorë jemi ne. S’mund ta quaj ndryshe pos degjenerim, vesin për të nisur  gjithmonë nga fillimi. Bota këtë s’mund ta kuptojë normalisht, kur dihet se është më lehtë për secilën gjeneratë të vazhdojë udhën nga aty ku e lanë ata që s’jetojnë më. Primitivizmi s’na lejon të marrim frymë dhe kjo ka për të zgjatur edhe një kohë të gjatë.

Të fala vëllazërore!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.