Në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua shqiptari nga Dubai
Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, raporton ABC.
Policia e Shtetit bën me dije se ekstradimi i shtetasit Bamir Halili (Axhami), lindur në Kukës, u realizua falë bashkëpunimit dhe koordinimit informativ e operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit.
30-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Dhuna në familje”.
Pas procedurave përkatëse, shtetasi B. (H.) (A.) është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë shqiptare.
Policia e Shtetit thekson se bashkëpunimi me autoritetet homologe në Emiratet e Bashkuara Arabe vijon intensivisht, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.