Në Bjellorusi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, votohej vetëm për kandidatët besnik të Presidentit Lukashenko

Qeveria e Bjellorusisë i publikoi rezultate e para të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, në të cilat mundeshin të marrin pjesë vetëm kandidatë besnik të liderit Aleksandar Lukashenko, përderisa opozita i thërriste votuesit të bojkotojnë, transmeton Portalb.mk.

Këto zgjedhje edhe më shumë do ta përforcojnë qeverisjen e Lukashenkos, i cili së fundmi njoftoi se do të kërkojë edhe një mandat pesë-vjeçar në zgjedhjet presidenciale vitin  e ardhshëm.

Pjesa më e madhe a kandidatëve u takonin katër partive zyrtare të regjistruara:  Belaya Rus, Partia Komuniste, Partia Liberal-Demokrate, si dhe Partia e Punës dhe e Drejtësisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja ishte 73%.

Këto janë zgjedhjet e para në Bjellorusi që nga viti 2020, kur Lukashenko e fitoi mandatin e gjashtë, por ajo u ndjek nga një sërë protestash masive, në të cilat u arrestuan 35 mijë njerëz.

Vladimir Putin, sot i uroi Lukashenkos “fitoren bindëse të forcave patriotike të Bjellorusisë, e cila do të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit të brendshëm politik”.

Liderja e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila jeton në azil në Lituani që nga viti 2020, thërriste për bojkot të zgjedhjeve, të cilat i përshkruan si farsë të pakuptimtë. Çuditërisht, videot e saja u transmetuan në të gjithë Bjellorusinë të shtunën pasi aktivistët e opozitës arritën të kenë qasje në 2000 ekrane reklamash.

Reagime për zgjedhjet në Bjellorusi kishte edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i quajtur ato të turpshme dhe jo demokratike.

“Zgjedhjet u mbajtën nën frikë dhe asnjë proces zgjedhor që zhvillohet në një klimë të tillë nuk mund të cilësohet demokratik”, tha zëdhënësi i Departamentit Mathew Miller përmes një deklarate.

Pas zgjedhjeve, Bjellorusia planifikon  të formojë një  organ të ri shtetëror të quajtur Asambleja Popullore Gjith-Bjelloruse me 1200 vende.