Në Bashkimin Evropian vazhdon të rritet interesi për leximin digjital

Në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2025, 9,5% e qytetarëve kanë blerë e-libra ose audio-libra, që përbën një rritje të dukshme krahasuar me 7,3% të një vit më parë, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se formatet digjitale janë më të popullarizuara në Irlandë, ku pothuajse një e katërta e popullsisë (24,5 për qind) blen përmbajtje të tilla.

Menjëherë pas saj renditen Danimarka (22,5%) dhe Kroacia (21%), e cila veçohet edhe për rritjen më të shpejtë, deri në 16 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me vitin 2024.

Nga ana tjetër, në Hungari, Itali, Slloveni dhe Letoni interesi për e-libra dhe audio-libra mbetet i ulët dhe nuk kalon 5% të popullsisë.

Është interesante që, megjithëse tregu digjital në përgjithësi po rritet, disa vende shënojnë rënie: Finlanda, Portugalia dhe Malta kanë numër më të ulët të blerësve krahasuar me vitin e kaluar.

Shënimi i Ditës Botërore të Librit (23 prilli) e drejtoi edhe më shumë vëmendjen drejt ndryshimeve në mënyrën e leximit.

Ndërsa librat tradicionalë ende kanë publikun e tyre, formatet digjitale po fitojnë gjithnjë e më shumë lexues, duke ofruar qasje më të lehtë dhe fleksibilitet më të madh në konsumimin e përmbajtjes.