Ndjenja e vetëpërçmimit

Bota do të vazhdojë të tronditet nga tensionet dhe luftërat ndëretnike e ndërfetare, përderisa “Tjetri” e “Tjetërsia” do të shihen si rrezik.

Edhe pse thuhet shpesh se dallimet etnike, kulturore, racore, religjioze ose sociale janë pasuri për një shoqëri, në praktikë, po për shkak të tyre, lindin luftëra, konflikte e përplasje në shoqëri dhe shkaktojnë tragjedi.

Autorët që kanë shkruar për “identitetin” dhe “alteritetin”, erdhën në përfundimin se demonizimi i “Tjetrit” dhe i “Tjetërsisë” haset që në lashtësi. Lindja, sipas Edward Said-it, u paragjykua nga Eskili me veprën Persët, kurse shumë shekuj më vonë u shpreh superioritet racor edhe në veprat e disa autorëve të shquar europianë.

Këtë temë e trajtoi edhe Albert Memmi (1920 – 2020), një kundërshtar i “dominimit legjitim” të një race kundër një race tjetër. Ai e quajti racizmin një pseudoteori, e cila ishte shpikur për nënshtrimin e popujve.

Në sprovën mbi kolonizatorët dhe të kolonizuarit (1957), me parathënie të Jean – Paul Sartre-it, ai u fokusua te psikologjia e kolonizatorit dhe të kolonizuarit brenda sistemit kolonial.

Kolonizuesi dhe i kolonizuari, sipas tij, janë në ndërvarësi të përhershme. Kjo na kujton qasjen e Berdyaev-it mbi robin, padronin dhe njeriun e lirë. Robi dhe padroni janë robër të njëri – tjetrit, kurse i ndryshëm është vetëm njeriu i lirë, sepse ai as nuk robërohet dhe as nuk i robëron të tjerët.

Kolonizatori, sipas Memmi-t, është dyfish i paligjshëm, sepse ndërhyn në tokën e huaj dhe i nënshtron nënshtetasit e saj. Ai përpilon ligje që e skllavërojnë të kolonizuarin dhe e mban me dhunë në gjendje mjerimi e injorance, me qëllim që ta shfrytëzojë si mjet për përfitime materiale. Që ta përligj shtypjen, kolonizatori e shpall të nënshtruarin “të paaftë” e “të paqytetëruar” dhe synon që t’ia krijojë atij ndjenjën e vetëpërçmimit.

I kolonizuari, shton Memmi, nuk ka të ardhme brenda sistemit kolonial, sepse, që të integrohet, duhet të shpërfytyrohet dhe ta humbas identitetin kulturor. Që të çlirohet përgjithmonë nga ky sistem, duhet më parë të çlirohet nga ndjenja e vetëpërçmimit, e cila mund ta shoqërojë edhe gjatë periudhës postkolonialiste.

Sipas Charles Taylor-it, që ta nënshtrosh një komb duhet paraprakisht t’ia krijosh ndjenjën e vetëpërçmimit. Frantz Fanon-i na bëri me dije se sistemi kolonial e tjetërson të nënshtruarin duke ia modeluar vetëdijen. I nënshtruari i tjetërsuar, pasi të jetë bindur se nuk është i aftë për vetëqeverisje, e pranon si normale qeverisjen nga padroni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.