Ndërtimet e reja të dyshimta në Shkup, Biljana Ivanovska: Agresion ndaj hapsirave të gjelbra, orekset për fitime të larta janë në rritje

Në hapësirën përballë “Mida“ kompanitë e ndërtimit tashmë kanë blerë parcela ku duhet të ndërtohen pesë ndërtesa. Ndërsa nga “Aleksandar Palace“ drejt burimeve të Lepencit janë planifikuar edhe 42 ndërtesa të tjera. Sipas informacioneve nga Slloboden Peçat, do të ndërtohen dy lagje “Shkupi mbi ujë“ dhe “Shkupi në pëllëmbë të dorës“, ndërsa investitorë do të jenë kompani nga Serbia dhe Maqedonia, si dhe kompania “Eagle Hills“ nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila e ndërtoi “Beogradin mbi ujë“. Për këto ndërtime ka kritikuar ashpër ish-kryetarja e Antikorrupsonit, Biljana Ivanovska, tani pjesë e nismës së aktivistëve ““Të Pavarurit së Bashku”. Në një intervistë për Portalb.mk, Ivanovska foli për efektet negative që këto ndërtime do të sjellin në mjedis, në jetën e qytetarëve dhe dyshimet për korrupsion. 

Portalb.mk: Së fundmi reaguat kundër 42 ndërtesave që po planifikohen të ndërtohen në segmentin nga “Aleksandar Palace” deri te burimet e Lepencit, pse?

Biljana Ivanovska: Reagova sepse ndiej revoltë për shkak të betonizimit të pafund të qytetit. Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, kandidatët nga të gjitha opsionet politike flisnin me të madhe se do të angazhohen për rritjen e gjelbërimit, për një jetë më humane dhe më cilësore në qytet, ndërsa pas zgjedhjeve vazhduan me këngët e vjetra të njohura.

Ajo që po ndodh është agresion i rëndë ndaj një hapësire që sipas PGJU-së të Qytetit të Shkupit është e dedikuar për gjelbërim, si vazhdim i Parkut të Qytetit. Rikujtoj se qytetarët e Shkupit, me më pak se 10 m² gjelbërim për banor, janë larg standardit prej 25 m². Nëse edhe kjo shkatërrohet, largohemi edhe më shumë nga ky standard. Çuditem deri në çfarë mase janë të gatshëm ata pak persona që marrin vendime për jetën e qytetarëve të mbyllin sytë para shkëlqimit të parave, duke rrezikuar jetën e të gjithëve.

Mendoj se kriteri “ndikim në mjedisin jetësor” duhet të jetë më i rëndësishmi gjatë miratimit të planeve të detajuara urbanistike (PDU) dhe dhënies së lejeve të ndërtimit. Praktika tregon se sa shumë gjatë viteve të kaluara është toleruar ndikimi negativ në mjedis. Lubjana na shërben vetëm si shembull në biseda, por jo në praktikë. Në rastin konkret, arsyetimi është se po krijohen “depërtime pyjore” (korridore të gjelbra), por dallohet qartë synimi dhe trendi për urbanizëm investues të dendur.

Portalb.mk: A mendoni se bëhet fjalë për projekt që po përgatitet pa transparencë dhe debat publik?

Biljana Ivanovska: Po, sepse orekset për fitime të larta janë vazhdimisht në rritje. Bëhet fjalë për një qëllim më të vjetër për ndërtim fitimprurës, që investitorëve do t’u mundësojë përfitime enorme. Deri tani kjo ka qenë e mbështjellë me sekret afarist. Fatkeqësisht, rregullativa është e rregulluar në mënyrë që ta mundësojë këtë.

Prandaj, së bashku me këshilltarët e pavarur nga Komuna e Karposhit, po e ndjekim me kujdes situatën, sidomos sepse dimë se për realizimin e këtij qëllimi nevojiten ndryshime si në PGJU ashtu edhe në planin e detajuar urbanistik për segmentin përgjatë anës veriore të Ilindenska-s. Ne, të gjithë të pavarurit, do të insistojmë që procedura të shoqërohet me debat profesional dhe publik, gjë që shpresoj do t’i ndihmojë këshilltarët e shumicës qeverisëse të marrin vendim të arsyeshëm, në mënyrë që të gjithë të marrim frymë më lehtë.

Portalb.mk: Sipas jush, a ka hapësirë për korrupsion në këtë projekt dhe cilat janë dyshimet tuaja?

Kudo që veprohet në kundërshtim me standardet e planifikimit urban dhe me standardet për jetë të shëndetshme e cilësore, lindin dyshime për korrupsion. Tek ne po shkatërrohet pa mëshirë hapësira, që është burim i kufizuar, e më pas ankohemi për kushte të padurueshme jetese në Shkup.

Si banore e këtij qyteti në kohën kur qyteti merrte frymë dhe ndërtimi ishte në funksion të interesit publik, këtë që po ndodh e përjetoj si sulm ndaj qytetit dhe ndaj të gjithëve ne që e duam qytetin tonë. Me ndryshimet e fundit në rregullativën për planifikim urban (6 ndryshime të Ligjit për planifikim urban dhe 3 ndryshime të Rregullores për planifikim urban brenda një viti e shtatë muajsh nga mandati i kësaj Qeverie, kjo është e 10-ta), sipas të cilave hotele të deklaruara me rëndësi shtetërore mund të ndërtohen me vendim të Qeverisë, krijohen edhe më shumë dyshime për veprime korruptive. Politikisht do të vendoset se ku do të ndërtohet, dhe kjo si vendim përfundimtar do t’u prezantohet qytetarëve pa u zhvilluar anketë publike dhe pa u dëgjuar zëri i tyre. Pra, zëri i qytetarëve do të zhvlerësohet plotësisht.

Portalb.mk: Çfarë pasojash prisni nëse projekti realizohet ashtu siç po paralajmërohet?

Biljana Ivanovska: Qyteti edhe ashtu mezi merr frymë, ndërsa me një projekt të tillë do të mbyllet edhe ai pak qarkullim ajri që vjen nga Vardari. Do të gjenerohet trafik shtesë, mbeturina shtesë, do të shkatërrohet gjelbërimi dhe mundësia për krijimin e një parku të madh që do të zbusë pasojat e planifikimeve të deritanishme johumane. Të mos harrojmë se ende nuk kemi stacion për pastrimin e ujërave të zeza, kështu që problemet në thelb do të mbeten të pazgjidhura.

Prandaj, pasojat e këtij mega-projekti duhet të peshohen racionalisht dhe objektivisht me analizë përkatëse. Përgjigjen kryesore duhet ta kërkojmë në dokumentin për zhvillim strategjik të qytetit – PGJU, sepse me këtë projekt tejkalohen parametrat e vendosur në PGJU, gjë që paraqet çbalancim dhe çrregullim tektonik të bazës së qytetit si tërësi. I gjithë sistemi hapësinor-urbanistik do të ketë pasoja.

Mendoj se bartësit e vendimeve në pushtetin lokal dhe qendror nuk kanë ndërtuar mjaftueshëm ndjenjën për interesin publik, pasi në periudhën pas pavarësisë së shtetit e kanë shitur lehtësisht tokën shtetërore dhe më pas i kanë dhënë përparësi pronës private mbi parcela atraktive (shpesh edhe të fituara në mënyrë të dyshimtë) dhe dëshirave të pronarëve. Interesi publik i qytetarëve është bërë nocion abstrakt, prandaj edhe janë të pakënaqur me kushtet e jetesës në këtë qytet.

Portalb.mk: Çfarë do të ndërmarrë konkretisht platforma “Të Pavarurit së Bashku” lidhur me këtë projekt?

Biljana Ivanovska: Po e ndjekim me kujdes të gjithë procesin, sidomos lojërat në prapaskenë që janë lehtësisht të dallueshme, aq më tepër pasi projekti po fiton peshë dhe interesat po rriten. I mbështesim këshilltarët e pavarur nga Komuna e Karposhit në përpjekjet për mbrojtjen e qytetarëve, përmes marrjes së vendimeve mbi bazë analize dhe në përputhje me standardet e përmendura më lart. Me një projekt të tillë, cilësia e jetës së qytetarëve do të ulet ndjeshëm dhe qyteti do të largohet gjithnjë e më shumë nga përkufizimi i Jan Gehl-it: “Qytetet janë për njerëzit”.