Maqedonia e Veriut me buxhet rekord në letër, shkencë e dobët në realitet

Paralelisht me debatin për Ligjin e ri për Arsimin e Lartë po zhvillohet edhe prezantimi i ndryshimeve të reja në projektligjin për veprimtarinë hulumtuese-shkencore, të cilat në thelb duhet ta bëjnë shkencën një nxitës të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik në vend, shkruan Racin, transmeton Portalb.mk.

Shpenzimet buxhetore për aktivitetin hulumtues-shkencor në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit janë rritur. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2026 shteti planifikon një shumë rekord prej 773 milionë denarësh për shkencën, që është rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme (380 milionë në vitin 2024 dhe 680 milionë në vitin 2025).

Por, sipas të dhënave për shpenzimet e përgjithshme për hulumtim dhe zhvillim si përqindje e PVB-së Maqedonia e Veriut ndan rreth 0,39% të PVB-së, që është shumë nën mesataren evropiane.

Shkencëtarët dhe profesorët universitarë shpesh theksojnë se edhe pse ka një rritje të fondeve niveli i investimeve mbetet aq i ulët sa nuk mund ta mbështesë në mënyrë efektive punën shkencore konkurruese.

“Vetëm me investime shumë më të larta mund të zhvillojmë kushte adekuate për shkencë të avancuar”, thotë një profesor i shkencave natyrore gjatë debatit publik.

Në pyetjen nëse e gjithë kjo është e mjaftueshme një tregues i rëndësishëm është rangimi i indeksit global për inovacione, në të cilin Maqedonia e Veriut është në pozitat më të ulëta për shkak të investimeve modeste dhe numrit të kufizuar të studijuesve dhe publikimeve me ndikim të lartë.

Krahasim me vendet e rajonit

Nëse krahasohet me vendet e rajonit investimet në shkencë në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë nga më të ulëtat:

  • Maqedonia e Veriut, rreth 0,38-0,40% të PVB-së për hulumtim dhe zhvillim.
  • Shqipëria, përqindje edhe më të ulët prej 0,05-0,08% të PVB-së.
  • Serbia shpesh përmendet se ndan rreth 0,7-0,97% të PVB-së për hulumtim dhe zhvillim.
  • Bullgaria dhe Rumania, si shtete anëtare të BE-së, ndajnë nën 1% të PVB-së.
  • Sllovenia, e parë në një kontekst më të gjerë, anëtare e BE-së, ndan të paktën rreth 2% të PVB-së për shkencë dhe hulumtim, që është brenda mesatares evropiane.

Shkencëtarët nga rajoni shpesh theksojnë se investimet e ulëta kombëtare krijojnë disbalans: Institutet shkencore nuk mund të krijojnë kushte për hulumtime të nivelit të lartë, gjë që zvogëlon kapacitetin e tyre për të konkurruar për grante ndërkombëtare.

“Mungesa e fondeve bazë na e ndërlikon qasjen në pajisje moderne, që nga ana tjetër nuk na lejon t’i ndjekim të njëjtat standarde globale”, thotë një hulumtues nga fusha e teknologjisë në Shkup.

BE: Mbështetje dhe krahasim me Maqedoninë e Veriut

Sipas Komisionit Evropian shtetet anëtare të BE-së në vitin 2024 së bashku kanë shpenzuar rreth 2,24% të PVB-së në aktivitete hulumtuese shkencore, me investime të përgjithshme në R&D prej rreth 403 miliardë eurosh.

Kjo do të thotë që mesatarja evropiane është shumë më e lartë nga ajo në Maqedoninë e Veriut, ku investimet në R&D janë nën 0,4% të PVB-së, pra mbi pesë herë më pak se mesatarja evropiane.

Disa vende të BE-së investojnë shumë mbi mesataren e bllokut. Për shembull, pjesa për R&D e PVB-së së përgjithshme në Suedi, Belgjikë dhe Austri është mbi 3%.

E rëndësishme është edhe se shtetet anëtare të BE-së kanë qasje në programe të mëdha evropiane për hulumtim dhe inovacion (si Horizon Europe dhe fonde të tjera strukturore), gjë që e rrit edhe më shumë financimin e tyre të përgjithshëm për projekte shkencore.

Një ëndërr e largët: Shkenca si nxitëse e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik në vend

Edhe pse në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit ka pasur njëfarë rritjeje të fondeve kombëtare për shkencë, atë vazhdojnë të jenë shumë nën nivelin e nevojshëm për të zhvilluar një infrastrukturë shkencore konkurruese. Siç thamë, krahasuar me vendet e tjera në rajon, vetëm Shqipëria shënon nivele edhe më të ulëta.

Shkencëtarët theksojnë se vetëm një rritje e konsiderueshme dhe e vazhdueshme e investimeve, e shoqëruar me përmirësimin e sistemeve për mbështetje të hulumtimit dhe komercializimin, mund ta bëjnë shkencën një nxitës të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik në vend.

Ndryshe, Propozim-ligji për arsimin e lartë po përcillet me shumë kritika ndërsa vijon debati publik për të njëjtin, pas së cilit pritet të miratohet versioni përfundimtar.