Ndërlidhja e vizioneve utopike dhe veprimeve pragmatike

Është e vështirë të imagjinohet një sistem ideal në politikën ndërkombëtare. Gjatë historisë, filozofët kanë theksuar nevojën për një sistem që i trajton të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë, ose, në një shkallë të vogël, të jetë i drejtë me njerëzit. Megjithatë, një sistem i tillë utopik ka qenë i vështirë për t’u ndërtuar për shkak të kushteve reale me të cilat është ballafaquar njerëzimi, veçanërisht shtetet. Një sistem utopik për politikën ndërkombëtare do të synonte të maksimizonte bashkëpunimin në nivele të ndryshme dhe barazinë e plotë të shteteve.

A mund të kemi një botë pa konflikteve? Kjo mund të jetë vetëm një imagjinatë, sepse shtetet udhëhiqen nga interesa dhe nevoja të ndryshme. Për të shmangur dilema të tilla filozofike dhe teorike, duhet një qasje më reale të së tashmes dhe së ardhmes. Sidoqoftë në një realitet konkret, nuk ka asnjë rast apo shembull më të mirë se ngjarjet e sotme botërore, ku krahas prioritetit të interesave kombëtare dhe bashkëpunimit mes shteteve, qeveritë duhet të ndërmarrin veprime pragmatike. Këtu kemi të bëjmë me domosdoshmërinë dhe pragmatizmin, të parë historikisht si forca shtytëse në politikë dhe më shumë. Në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, kemi realitete të pashmangshme me të cilat qeveritë dhe liderët duhet të përballen për mirë ose për keq. Burimet natyrore, pozita gjeografike dhe forca e një shteti, si ekonomike dhe ushtarake, ndikojnë në mënyrën se si shtetet përballen me realitetin. Andaj qasja prej qeverive kërkon hapa pragmatikë të bazuar në specifika të caktuara të veprimit në politikën e të gjitha niveleve.

Shtetet që kanë burime të mjaftueshme ekonomike, ushtarake dhe pozitë gjeografike, zakonisht bëjnë përpjekje për të ruajtur status quo-në për dekada, nëse është e mundur me shekuj. Këto veçori lidhen me realitetin ekzistues dhe veprimet e nevojshme që shtetet i ndërmarrin. Për shembull, vendet pa dalje në det dhe me mungesë të pozicionit të mirë në arenën ndërkombëtare, për të mbijetuar dhe ruajtur stabilitetin, shfaqen si lojtarë të mirë në sistemin ndërkombëtar. Këtu kemi raste nga shtetet e Evropës, Lindjes së Mesme, Azisë etj, ku qeveritë duhet të veprojnë në bazë të rrethanave dhe të ndërmarrin hapa pragmatikë, e jo nga një pikëpamje utopike e politikës ndërkombëtare. Përfaqësuesit apo qeveritë duhet të marrin vendime që bazohen në veprime që funksionojnë dhe jo të një bote ideale. Disa vende, pavarësisht dallimeve ideologjike, për interesa të sigurimit të energjisë dhe përfitimeve ekonomike, bashkëpunojnë ose hyjnë në marrëveshje me shtete që nuk përputhen.

Shembuj të tillë përfshijnë Serbinë, e cila, për interesa ekonomike dhe ushtarake, vazhdon të ruajë lidhjet me Perëndimin dhe në të njëjtën kohë marrëveshjet me Rusinë dhe Kinën i sheh si zgjidhje pragmatike. Ndërsa e bën këtë, Serbia po përdor pragmatizmin politik për të goditur shtetet e tjera të dobëta, si Kosovën, Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës etj. Kompromiset që bëjnë shtetet janë gjithashtu pjesë e konceptit pragmatik dhe të domosdoshmërisë për të mbijetuar në sistemin politik ndërkombëtar, të nxitur ndonjëherë edhe nga faktorë të jashtëm. Injorimi i këtyre realiteteve sjell tensione tregtare e politike. Në këtë kontekst, Akti i tarifave ‘Smoot-Hawley’ i vitit 1930 është një shembull i mirë në krahasim me tarifat e sotme të vendosura nga administrata amerikane nën presidentin Donald Trump. Koha vërtetoi se politika e viteve të 30-ta ishte e gabuar. SHBA mendoi se ishte pragmatike të mbroheshin punëtorët amerikanë, duke synuar mbrojtjen e fermerëve, por ishte me pasoja të thella për SHBA-në dhe ekonominë botërore.

Mund të vazhdojmë pa pushim duke dhënë shembuj, por tema kryesore është se sa është mirë të jesh pragmatik, dhe kur dhe çfarë roli luan në raste dhe skenarë të tillë politika e domosdoshmërisë ku si shembull mund ta sjellim Kinën, ndaj së cilës SHBA vendosi tarifa dhe Kina e bëri të njëjtën. Të dyja shtetet mendojnë se po bëjnë hapat e nevojshëm, por për sa i përket pragmatizmit, duhet të shohim në javët në vijim kur, në një farë mase, qeveritë duhet të ndërmarrin disa hapa realë dhe pragmatikë për të qetësuar situatën. Mund të vazhdojmë me Ballkanin, ku BE-ja dhe vetë rajoni, të vendosur në një udhëkryq jo vetëm për shkak të së kaluarës, por edhe për shkak të zhvillimeve aktuale, e kanë patjetër të bashkëpunojnë me një qasje më pragmatike ndaj çështjeve të hapura mes vendeve të rajonit dhe vetë BE-së, e cila ka marrë përsipër të ndihmojë jo vetëm me “Planin e Rritjes” 2023, por edhe në fushën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Veprime të tilla hyjnë në kategorinë e pragmatizmit dhe domosdoshmërisë për t’u angazhuar kundër vakumit ekzistues në Ballkan. Si një qasje pragmatike, këtu mund të shtojmë angazhimin e unionit për anëtarësimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit. Megjithatë, disa qeveri në rajon nuk e shohin si urgjente këtë pragmatizëm dhe domosdoshmëri të kohës, për shkak të rrethanave që janë krijuar që nga viti 2022. BE-ja ndërmori hapa konkretë që nga Samiti i Selanikut të 2003-ës, duke kaluar nga premtime në vepra konkrete me pranimin e Kroacisë dhe Sllovenisë në BE dhe afrimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi për t’u bërë anëtarë të unionit para vitit 2030. Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina për shkak të problemeve të brendshme dhe të jashtme po qëndrojnë jashtë pragmatizmit që para 2030-ës të bëhen anëtare të unionit. Nuk përjashtohet asgjë, por mosmarrëveshjet, nuk ka të bëjnë me pragmatizmin apo realizmin politik.

Është një marrëdhënie e vjetër që po i shqetëson shtetet duke mos ofruar zgjidhje. Fryma aktuale si duket është jashtë standardeve të zgjedhjes së nevojshme që duhet të buronte nga shtetet si Serbia, Maqedonia e Veriut, apo edhe Kosova. Ndërkohë që BE-ja, me Planin e saj prej 6 miliardë eurosh, mundohet të lidhë rajonin ekonomikisht dhe demokratikisht, kërcënimi nga forcat e treta e vendos këtë pragmatizëm në plan të dytë, pasi domosdoshmëria për shtetet ballkanike do të thotë mbijetesë në këtë kohë të keqe përpara bashkëpunimit. Mungesa e veprimeve praktike do të jetë një nga pengesat që qeveritë e rajonit tonë të tërhiqen nga pragmatizmi dhe më tepër në kontekstin negativ të domosdoshmërisë për të mbetur në të kaluarën.

Për qeveritë e Ballkanit, paratë dhe donacionet nga BE-ja apo SHBA-ja deri më tani janë parë si pragmatizëm i llojit ballkanik, por jo si reforma e pragmatizëm që mbështetet në një realitet të caktuar. Dhe këtu fillon qasja e ndryshme dhe ndryshon përkufizimi se çfarë përfaqëson pragmatizmi dhe domosdoshmëria për BE-në, shtetet e Ballkanit dhe më gjërë në nivel global. Për shkak se një botë e tillë ideale nuk ekziston, shtetet ballkanike duhet të ndërmarrin hapa realë dhe pragmatikë që mund të formësojnë politikën për një të ardhme më të mirë dhe më pak luftëra.

Përndryshe, do të jetë një kumar i rrezikshëm për qeveritë ballkanike të luajnë me zjarrin në këtë kohë duke përdorur të kaluarën për të arritur objektiva të caktuara. Mund të jetë një qasje pragmatike në politikën e stilit ballkanik, por mund të rezultojë mbrapsht, siç e kemi parë me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe udhëheqës të tjerë separatistë të rajonit të Ballkanit. Eksplorimi i këtyre qasjeve të domosdoshmërisë dhe pragmatizmit, gjithmonë në një kontekst të mirë, mund të ndihmojë procesin e vendimmarrjes politike jo vetëm në Ballkan. Për ta bërë të thjeshtë, nga pikëpamja utopike e politikës deri te hapat pragmatikë dhe të domosdoshëm, qeveritë duhet të marrin një qasje themelore të bazuar në kushte dhe faktorë të tjerë. Historia ka treguar se veprime të tilla janë komplekse për t’u ndërmarrë, por zyrtarët duhet të përpiqen ta bëjë këtë në të gjitha nivelet e politikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.