U dha premiera e “Rikardi i Tretë” në Teatrin e Shkupit, Bekteshi: Të ngjashëm me Rikardin jashtë skenave janë ‘ngjallur’ në realitetin e politikës globale

Në Teatrin Shqiptar në Shkup mbrëmë u vu në skenë shfaqja “Rikardi III” nga Shekspiri, nën regji të Kushtrim Bekteshit. Shfaqja Rikardi brenda vetvetes trajtoi disa tema, por ajo që dominoi më së shumti ishte tema e ardhjes në pushtet përmes intrigës, dhunës dhe manipulimit dhe pasojat që sjell sundimi i një tirani, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Kushtrim Bekteshi për Portalb tha se veprat e Shekspirit, sidomos tragjeditë e tij monumentale, janë si një oqean që mund ta soditësh nga larg sipërfaqësisht me dylbi apo hipur mbi një anije, apo të zgjedhësh ta studiosh e eksplorosh si zhytës dhe të zbulosh shumështresimet që fshihen në brendësi të tij. Për të parën duhet vetëm dëshira, ambicia dhe ëndërrimet rinore, për të dytën duhet përvoja dhe nevoja e papërballueshme për të thënë diçka përmes veprës së tij.

“Tragjedia monumentale “Rikardi III”, e shkruar diku mes viteve 1592-1594, trajton anën më të errët të natyrës njerëzore në luftën për pushtet, hakmarrje dhe sundim tiran ndaj të tjerëve. Ngjarja përcjell ngritjen e “Rikardit III” në pushtet përmes intrigave, manipulimeve dhe dhunës, pastaj sundimin e tij autoritar dhe krimet e llahtarshme që urdhëron e kryen, deri në shembjen e sundimit të tij kur ai edhe vritet në fund”, tha Bekteshi.

Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)
Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)

Ai edhe më tej shtoi se personazhe të ngjashme me “Rikardin III” i kemi të njohura edhe nga e kaluara e largët dhe e afërt.

“Personazhe të ngjashme me “Rikardin III” i kemi të njohura edhe nga e kaluara e largët dhe e afërt, siç janë Hitleri, Stalini, Mao Ce Dun dhe shumë diktatorë të tjerë të cilët gjatë kohës së sundimit të tyre kanë shkaktuar tragjedi dhe kryer krime të përmasave monstruoze. Të ngjashëm me ta janë ose kanë potencial të madh që të vijnë në pushtet në çdo hapsirë gjeografike ku mendimi kritik qytetar korruptohet, ku përplasjet radikale të ideologjive kontradiktore arrijnë përmasa të një lufte të ashpër për pushtet dhe ku dezinfomatat e mjegullojnë të vërtetën dhe vlerat bëhen mall tregu për shitje”, tha Bekteshi.

Prandaj, shtoi ai, edhe në shfaqje trajtohet temat e luftës së përgjakshme për pushtet; korrupsionit, mbi të gjitha korruptimin e mendimit kritik dhe zërit intelektual; bullizimit dhe pasojat që i sjell ky fenomen shoqëror; dezinformimit dhe propagandës politike si mjet për mjegullimin e të vërtetës dhe manipulimin me masat, si dhe demokracisë kundrejt autoritarizmit.

Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)
Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)

Në shfaqje luajtën një kastë e madhe e aktorëve, gjithsej 18 aktorë, ku në rolin kryesor, atë të Rikardit të Tretë, ishte Adem Karaga, pastaj ishte aktori mysafir nga Kosova, Shkumbin Istrefi, si dhe aktorët e tjerë të ansamblit rezident të Teatrit Shqiptar të Shkupit si: Teuta Ajdini Jegeni, Vjollca Bekteshi Hamiti,  Amernis Nokshiqi, Abedin Alimi, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Dritëro Ame, Fisnik Zeqiri, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Rrahim Ramadani, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Hetem Etemi, Sabina Memishi Asllanaj, dhe studentin e aktrimit Deniz Rrustemi. Skenograf në shfaqje është Betim Zeqiri, kostumografe Samka Ferri dhe kompozitor Trimor Dhomi.

Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)
Fotografi nga vepra “Rikardi i Tretë”. Foto: Kushtrim Bekteshi (Facebook)