“Muzeu i dëgjimit” solli retrospektivë të artistëve të parë shqiptarë

Mbrëmë në “Cowork 21”, u hap ekspozita “Muzeu i Dëgjimit” nga koleksionuesi i gramafonave dhe pllakave, Bekim Fera, njëherit mjek me profesion, shkruan Portalb.mk.

Gramafonat dhe pllakat si teknologji i përkasin shekullit 19, ndërkaq ata mbijetuan deri në ditët e sotme falë koleksionuesve që i ruajnë të njëjtat, apo vazhdojnë e prodhohen për nostalgjikët.

Profesori Bekim Fera, koleksionues i qindra pllakave gramafonit dhe organizator i kësaj ngjarje, për Portalb.mk tha se ideja e këtij projekti është që të kthehemi pak në kohë dhe t’i kujtojmë ato nga të cilët filloi arti muzikor shqiptar.

“Në një shekull ku gjithçka është digjitalizuar idea ishte që të kthehemi pak në retrospektivë dhe ti kujtojmë ato nga të cilët filloi arti muzikor shqiptar të zhvillohet me këngëtarët e parë siç janë: Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Qamili i Vogël, Mazllum Muezini, Marije Kraja, Hafsa Zyberi, Bashkim Paçuku, Liliana Çavolli, Gonxhe Manaku, Shahindere Berlajolli, Ismet Peja, Dervish Shaqa, Shpresa Gashi, Gazmend Pallaska, Shyqri Nimani, Gani Grubi, Fitnete Rexha, Violeta Rexhepagiq, Tefta Tashko Koço, Ibrahim Tukiçi, Jordan Nikoliq, Qazim Dushku etj”, tha Fera.

Fotografi nga ekspozita “Muzeu i dëgjimit”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga ekspozita “Muzeu i dëgjimit”. Foto: Portalb.mk

Dirigjentja Agona Çupi, për Portalb.mk thotë se regjistrimet e para të krijimtarisë shqipe janë anashkaluar, por pavarësisht kësaj, disa prej tyre janë ruajtur dhe sot paraqesin vlera.

Çupi shtoi se krijimi i individëve me vlera është i lidhur me prejardhjen e tyre.

“Ngjarjet si “Muzeu i Dëgjimit” na bëjnë të kujtojmë vlerën e regjistrimeve të hershme origjinale të cilat koha nuk ju ka bërë drejtësi dhe njeriu padrejtësisht i ka anashkaluar. Pavarësisht këtyre sfidave dhe mangësive që janë paraqitur gjatë regjistrimeve, nismëtarët e regjistrimeve të hershme kanë arritur të kapin disa performanca të jashtëzakonshme që janë ruajtur dhe vlerësuar për vlerën e tyre historike. Është shumë e rëndësishme të vetëdijesohemi dhe të promovojmë një vetëdije për ruajtjen e vlerave dhe trashëgimive tona kulturore pavarësisht formës, stilit apo fushës që i takojnë sepse për tu ndërtuar në individë me vlera sot duhet të dihet se nga vijmë, çfarë bartim me vete dhe mbi çfarë bazash ne do të vazhdojmë të ndërtojmë gjëra të bukura dhe me vlera”, tha Çupi.

Fotografi nga ekspozita “Muzeu i dëgjimit”. Foto: Portalb.mk
Fotografi nga ekspozita “Muzeu i dëgjimit”. Foto: Portalb.mk

Profesori Blerim Grubi, i cili ishte pjesë e këtij aktiviteti për Portalb.mk tha se e bukura e kësaj mbrëmje ishin të rinjtë të cilët duhet të dinë më tepër për të kaluarën e trashëgimisë së muzikës.

“Më së shumti që po më pëlqenë në këtë aktivitet është se po pashë një numër të madh të nxënësve dhe moshës se re. Kjo është idea që të rinjtë të informohen nga afër për kohën kur gjyshërit e tyre kanë pasur mundësi të dëgjojnë një këngë në këtë mënyrë. Ideja është se këto pllaka gramofoni atë kohë kan qenë pjesë e jetës së njerëzve për të dëgjuar këngë ose ndonjë regjistrim tjetër, pra po kthehemi dhe dëgjojmë një kualitet tjetër të interpretimeve pasi që tani në këtë kohë me teknikën e incizimeve një këngë krejt ndryshe regjistrohet. Atëherë këngëtari, duheshte të jetë i përgaditur dhe i gatshëm 100%, për arsye se vetëm në atë mënyrë ke mund të incizosh, në studiot e asaj kohe. Muzeu i dëgjimit” për atë edhe e ka marrë emrin pasi që aty gjenden pllaka gramofoni të vjetër një shekullor, tha Grubi.

Ai shtoi se muzika e tanishme, nuk mund të krahasohet me ato të mëparshmet.

“Nëse kthehemi në atë se çfarë gjendje sot është muzika që dëgjojmë, mund lirisht të bëhet komparacioni, dhe unë mendoj se aty shumica që ishin, kanë për të ndrruar bindjen se këto muzika tallava sot as nuk mund të krahasohen me ato përpara”, tha Grubi.

Kujtojmë se gramafonat u zbuluan në vitin 1887 nga Emile Berliner, që jetoi në ShBA me prejardhje gjermane. Pllakat dhe gramafonat u zëvendësuan nga teknologjitë që pasuan ndër vite. Sot, kompani të ndryshme vazhdojnë e prodhojnë gramafona e pllaka për nostalgjikët e kësaj teknologjie.