Filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, emocionoi mërgimtarët në Bruksel
Suksesi i filmit “Krejt e thirrin Rexhën” nuk ka të ndalur. Ky film të premten mbrëma u paraqit në Kinemanë Galerisë në Bruksel dhe emocionoi të pranishmit pasi që ka një tematikë tepër të ndjeshme duke hapur kështu plagët e shpërnguljes së kurbetçinjve, shkruan Portalb.mk.
Ibër Deari, regjisori i filmit për Portalb.mk tha se në këtë shfaqje morën pjesë rreth 220 persona, shumica prej tyre mërgimtarë shqiptarë, artistë, profesionistë dhe të rinj të suksesshëm nga diaspora.
“Pas shfaqjes së suksesshme në Kopenhagë muajin e kaluar, “Krejt e thirrin Rexhën” vazhdoi rrugëtimin e tij duke u shfaqur edhe në Bruksel, në një nga kinematë më prestigjioze të qytetit Cinema Galeries. Kjo kinema, e vendosur në zemër të Brukselit pranë Galerisë Royales Saint-Hubert, është e njohur për programin e saj artistik dhe për promovimin e kinemasë evropiane e ndërkombëtare me vlerë.
Në këtë shfaqje morën pjesë rreth 220 persona, shumica prej tyre mërgimtarë shqiptarë, artistë, profesionistë dhe të rinj të suksesshëm nga diaspora”, tha Deari.

Ai shtoi se ajo që e ka emocionuar edhe më shumë është reagimi publikut ndaj temës së filmit.
“Ajo që më emocionoi më shumë ishte reagimi i publikut, pati shumë të qeshura, shumë ndjenja dhe një lidhje e fortë me temën e filmit. Duke ecur në rrugët e Brukselit, pashë sa shumë shqiptarë të suksesshëm kemi në diasporë restorante, biznese, të rinj që punojnë dhe përfaqësojnë me dinjitet kulturën tonë. Dhe thuajse gjithkund, shqiponja si simbol i përbashkët që na mban lidhur, edhe larg vendit. E falënderoj me zemër Lirije Zenelin dhe Lizebooks (Librarinë e Diasporës) për organizimin fantastik që bënë dhe për mundësinë që ky film të shfaqet në zemër të Europës”, tha Deari.

Deari potencoi se mërgimtarët janë të etur për çdo gjë që flet shqip.
“Shqiptarët që jetojnë në mërgim janë gjithmonë të uritur për çdo gjë që flet shqip. Ata mezi presin për filma që vijnë nga vendi, dhe kjo më jep shumë motivim. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua si regjisor sesa ta ndaj filmin me ta edhe pse janë larg, ndihen shumë afër me atdheun.
Shpresoj që ‘Krejt e thirrin Rexhën’ të vazhdojë të shfaqet edhe në vende të tjera, sepse ky film është për ta, për ata që kanë ikur por që nuk e kanë harruar kurrë prej nga vijnë”, tha Deari.