MSHIA: Posta e Maqedonisë së Veriut nuk i jep të dhënat e të punësuarve se është shoqëri aksionare dhe jo institucion publik

Posta e Maqedonisë së Veriut refuzon ta japë listën e të punësuarve të tyre të kërkuar nga redaksia e Portalb.mk, duke u nisur nga fakti që sipas studimit të fizbilitetit të Postës, ka pasur persona që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë. Ndërkaq, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thotë se Posta nuk obligohet me ligj t’i dorëzojë të dhënat për shkak se nuk është institucion publik por shoqëri aksionare, njofton Portalb.mk.

Posta e Maqedonisë së Veriut e cila është në pronësi të shtetit me vite funksionon në humbje dhe me organizim të dobët, gjë që e dëshmon studimi i fizibilitetit të Postës të kryer në vitin 2021. Sipas studimit, në këtë institucion me vite me radhë në kohë të zgjedhjeve janë punësuar persona të papërgjegjshëm që nuk shkojnë në punë.

“Problemi i dytë i theksuar vazhdimisht është ai i mungesës në vendin e punës, i cili nuk kontrollohet, pra nuk bëhet asnjë regjistrim dhe analizë, ndërkohë që masat sanksionuese janë ose të ulëta ose joekzistuese. Kjo situatë krijon pakënaqësi të madhe, domethënë prish në mënyrë proaktive atmosferën e punës për shkak të mungesës së mekanizmave të shpërblimit dhe skemave të jashtëzakonshme të kompensimit që lidhen me performancën e përgjithshme të punës”, thuhet në studimin e fizibiliteti.

Lista e përditësuar nuk është publike

Ka një muaj që Portalb.mk nga Posta e kërkon listën e të punësuarve, por, nga atje vazhdimisht thonë se ende nuk kanë përgjigje nga njësitë kompetente dhe se “në momentin që do e kenë do e dërgojnë.” Lista më e re e të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut nuk figuron askund si informatë me karakter publik. Në ueb faqen e Postës, lista e të punësuarve që figuron është nga viti 2021.

Të dhënat që Portalb.mk siguroi në fund të muajit janar nga ish drejtoresha e Postës së Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi tregojnë se në Postë ka gjithsej 1814 të punësuar, por pa listën e të punësuarve. Ndërkaq, pas shkarkimit të Abazit dhe emërimit të drejtorit të ri, Idri Istrefit, Posta nuk është përgjigjur në pyetjet tona gazetareske.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës me deklarata konfuze

Kujtojmë se Posta e Maqedonisë së Veriut, asnjë vit nuk i ka dorëzuar të dhënat e tyre të të punësuarve te Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), me qëllim që ato të mund të vendosen në Regjistrin e të Punësuarve në Sektorin Publik edhe pse nga atje njëherë thanë se ua kanë kërkuar dhe se e kanë alarmuar Qeverinë për këtë çështje.

“Ne ua kemi kërkuar, por nuk na kanë dorëzuar. Për këtë kemi alarmuar në Qeveri”, thanë me datë 6 shkurt, përfaqësuesit e MSHIA-së për Portalb.mk.

Tani nga MSHIA na thanë se Posta nuk obligohet me ligj t’i dorëzojë të dhënat për shkak se nuk është institucion publik por shoqëri aksionare.

“Shoqëria aksionare për komunikacion postar Posta e Maqedonisë në pronësi shtetërore, nuk ka asnjë detyrim ligjor për t’i futur të dhënat për punonjësit e saj në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, sepse është shoqëri aksionare, gjegjësisht nuk është institucion i sektorit publik”, thanë me datë 29 shkurt nga MSHIA.

Shtrohet pyetja, pse dhe në çfarë baze MSHIA, siç thanë, e ka alarmuar Qeverinë për Postën, kur ky institucion nuk ka detyrim ligjor?!