MPB ngriti padi kundër një banori të Tetovës, akuzohet për ndërtim të paligjshëm në Parkun Kombëtar të Malit Sharr

Një 42 vjeçar, banor i Tetovës është akuzuar për vepër penale pasi u vërtetua se kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme një ndërtesë në Parkun Kombëtar të malit Sharr vitin e kaluar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

“SPB Tetovë ngriti kallëzim penal kundër M.D. (42) nga Tetova për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “uzurpimi i patundshmërive” dhe “ndërtimi i paligjshëm”. Gjatë vitit 2024, në një parcelë në pronësi shtetërore në f. Sellcë, i denoncuari në cilësinë e investitorit ka ndërtuar një objekt pa leje përkatëse ndërtimi dhe ka uzurpuar një vend oborri në territorin e Parkut Kombëtar ,,Mali i Sharrit’’, tha MPB.

Ndryshe zgjidhja e kontratave për koncesion për hidrocentralet e vegjël Zhirovniçka 5 dhe 6 në Parkun Nacional të Mavrovës nuk ka përfunduar ende, ndërsa për Ribniçka as që ka filluar. Drejtoria e Parkut Nacional “Mali Sharr” ka kërkuar marrjen e koncesioneve për Pena 84 dhe 85, por përpara se të fillojë procedura do të duhet të shqyrtohet nga Qeveria.