MPB konfirmoi se nuk lejoi pesë shtetas bullgar të futen sot në vend
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) konfirmoi se sot rreth orës 11:00 në vendkalimin kufitar Novo Sellë, pesë shtetas të Republikës së Bullgarisë nuk janë lejuar të hyjnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për shkak të mosplotësimit të kushteve për hyrje në vend sipas Ligjit për të huajt, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për eurodeputetin bullgar Andrej Kovaçev, kryetarin e Fondacionit bullgar “Historia Bullgare”, Milen Vrabevski dhe tre shtetas të tjerë bullgar.
“Policia e Maqedonisë as tani e as në të ardhmen nuk do të lejojë askënd që të cenojë rendin dhe qetësinë publike dhe të ofendojë dhe nënçmojë qytetarët dhe shtetin dhe persona të tillë nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e shtetit”, thanë nga MPB.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme Bullgare përmes një komunikate thotë se është e zhgënjyer nga ky veprim i Maqedonisë së Veriut. Autoritetet bullgare theksuan në deklaratë se kërkojnë të paktën t’i jepet fund “provokimeve ndaj Bullgarisë, bullgarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane”. Ata do ta ngrenë çështjen e ndalimit të hyrjes së bullgarëve para autoriteteve maqedonase dhe partnerëve ndërkombëtarë, sepse mendojnë se ngjarjet kanë ndikim negativ në marrëdhëniet e mira fqinjësore.