MOSHA DHE BEKETI

Në moshën rinore nuk më pëlqenin aq shumë veprat e Samuel Beketit. Mbase për shkak të moshës, kisha bindjen që jeta në thelbin e saj nuk ishte aq absurde sa paraqitej në veprat e tij.

Më shumë sesa vepra, më dukej interesante jeta e Beketit, i cili qëndronte larg zhurmës mediatike, kishte pak miq dhe refuzonte të jepte intervista. Pasi u vlerësua me Nobelin për letërsi më 1969, ai pranoi të jepte vetëm një “intervistë” të çuditshme. Pozoi para kamerës pa thënë asnjë fjalë.

Sa më shumë që kalonin vitet, aq më shumë më tërhiqte krijimtaria letrare e Beketit. Mbase duhet një moshë tjetër për t’i lexuar disa vepra të mëdha. Mbase disa vepra bëhen më joshëse për ne edhe për motive jashtëletrare.

Veprat e Beketit më trazonin veçanërisht në çastet kur nuk shihja asnjë perspektivë personale. Aq sa kisha ndjesinë sikur isha njëri nga dy protagonistët e veprës Duke pritur Godonë (1953), pra si Vladimiri ose si Estragoni. Në këtë vepër, ku sipas kritikut irlandez Vivien Mercier, “asgjë nuk ndodh, dy herë”, ata e presin Godonë që nuk arrin kurrë.

Veprat e Beckett-it më trazojnë edhe tani. Jo për shkaqe personale, por për shkaqe shoqërore.

Duke pritur Godonë është një vepër sa tragjike, po aq komike e groteske. Aty nuk ka komplot të komplikuar, gjërat përsëriten, kurse personazhet që komunikojnë me gjuhë të thjesht, e përjetojnë një ankth të përhershëm ekzistencial.

Veprat e Beketit, në përgjithësi, na shtyjnë të mendojmë më thellë për absurdin, ankthin ekzistencial, tjetërsimin, kohën, kujtesën, vetminë, identitetin apo izolimin…

Bota e sotme duket si në veprat e Beketit. Njerëzit duken si personazhet e tij. Ata gjithnjë e më shumë mbyllen në një bote të kufizuar edhe pse mendojnë se jetojnë në një botë të madhe. E humbin edhe identitetin dhe flasin me një gjuhë të pafuqishme për të shprehur realitetin.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.