Mos u nisni të dilni nga kufiri i RMV-së me pasaportë të vjetër, për të ardhur merrni fletëudhëtim

Qytetarët të cilët kanë pasaporta me emrin e vjetër të shtetit “Republika e Maqedonisë” nuk mund t’i përdorin të njëjtat, pasi që afati i tyre ka mbaruar më 12 shkurt, ashtu sikur është paraparë me Marrëveshjen e Prespës. Autoritetet shtetërore theksojnë që për dalje nga shteti nuk mund të përdoren pasaportat e vjetra, ndërkaq ata të cilët ndodhen jashtë vendit e duan të udhëtojnë për në RMV me pasaportë të vjetër, rekomandohet të marrin fletëudhëtim. Shtetet e BE-së nuk kanë përgjigje zyrtare nëse mund të kalohet apo jo me pasaporta të vjetra, pasi RMV ende nuk i ka njoftuar, pavarësisht obligimit me Marrëveshjen e Prespës, shkruan Portalb.mk.

Kaosi me dokumentet e udhëtimit vazhdon të jetë një prej temave kryesore në RMV, pasi që qytetarët u detyruan t’i zëvendësojnë dokumentet e vjetra me të reja, ndërkaq shteti nga ana tjetër nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta, të cilët me të drejtë, kërkojnë një dokument për të udhëtuar.

Një prej premtimeve kryesore të pushtetit të udhëhequr nga LSDM në vitin 2017-të, ishte që qytetarët nuk do të kenë asnjë implikim financiar për ndërrimin e dokumenteve, por se dokumentet do të ndërrohen ashtu sikur do t’u skadojë afati. Por, ky premtim u shkel pasi, në vend që MPB menjëherë të fillojë të japë dokumente me emrin e ri të shtetit, ajo i ka shfrytëzuar formularët e vjetër dhe ka vazhduar të japë dokumente me “Republika e Maqedonisë” për katër vite me radhë.

Qytetarët, të cilët kanë nxjerrë dokumente, në kohën pasi është ndryshuar emri i shtetit, janë dëmtuar, pasi që në mënyrë të padrejtë u është dhënë dokument me afat vlefshmërie më madhe se sa afati kur të njëjtat dalin jashtë përdorimit.

Pra, qytetarët kanë mbetur në situatë kur kanë pasaportë me afat deri në vitin 2030, por pasaporta është jo e vlefshme pasi që shteti ka ndaluar përdorimin e saj në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës.

Për të qenë situata më kaotike, qytetarët me muaj të tërë nuk mund të arrijnë të sigurojnë një dokument udhëtimi, pasi që terminët caktohen në afate më të gjata. Në ndërkohë, ka qytetarë të cilët jetojnë jashtë vendit, por edhe ndodhen në rrethana të ndryshme, të cilët nuk kanë kohë për të pritur aq gjatë.

Të gjendur në këso situate, qytetarët mundohen të gjejnë mënyra për të siguruar një dokument, ndërkaq të tjerët marrin rrezikun që të udhëtojnë me pasaportën që ka afat vlefshmërie, por shteti e ka shpallur të pavlefshëm.

Mos u nisni të dilni nga RMV me pasaportë me emrin e vjetër

Një prej pyetjeve më kryesore, që prej kur hyri në fuqi ndalesa e përdorimit të pasaportës me emrin e vjetër të RMV-së, ishte nëse mund të udhëtohet me pasaportat me emrin e vjetër të shtetit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani më 21 shkurt në mënyrë decide ka theksuar se nuk lejohet të dilet nga shteti me pasaportë të vjetër. Në rast se shteti do të lejonte një gjë të tillë, do të shkelej Marrëveshja e Prespës.

“Në lidhje me dalje nga shteti, ligji jonë nuk lejon – Ligji i MPB-së. Të gjitha përpjekjet që të bëhet trysni publike për vazhdim të afatit të pasaportave janë të pandershme. E para, neni 118 i Kushtetutës thotë se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të ratifikuara në Kuvend janë pjesë e rendit juridik të brendshëm dhe nuk mund të ndryshohen me ligj. Marrëveshja e Prespës është në fuqi dhe ne e respektojmë dhe zbatojmë. Ne mund të ulemi dhe të bëjmë plane ashtu sikur ne në MPJ jemi organizuar që t’i ndihmojmë qytetarët, por nuk mund të vazhdojë afati pasi do të shkelej Kushtetuta”, tha Osmani.

Të njëjtën e ka përsëritur edhe zëvendësministri plotësues Mitko Bojmacliev i cili në mënyrë precize, më 28 shkurt tha se qytetarët të cilët kanë pasaporta me emrin e vjetër të shtetit nuk mund të udhëtojnë askund me të njëjtat.

“Me pasaportat e vjetra nuk mundet askund që të udhëtohet, me të njëjtit nuk mund të dilni nga shteti pasi që ata nuk janë në funksion”, tha Bojamacliev.

Pasaporta e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk
Pasaporta e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk

Nëse ndodheni jashtë shtetit dhe dëshironi të udhëtoni në RMV me pasaportë me emrin e vjetër, nxirrni fletëudhëtim

Sipas Marrëveshjes së Prespës prej më 13 shkurt, Maqedonia e Veriut do të duhej t’i informojë të gjitha shtetet se ka hyrë në fuqi ndalesa e përdorimit të pasaportës me emrin e vjetër të shtetit dhe se të njëjtat janë jashtë funksionit. Megjithatë, sipas deklaratës së MPJ-së, këtë shteti nuk e ka bërë me qëllim që të mos bllokohen qytetarët nëpër kufij.

“Është dashur t’i njoftoj shtetet, por nuk i kam njoftuar me qëllim që të ketë një periudhë që të mos bllokohen qytetarët nëpër kufij. Kjo është në rrezikun tim”, tha Bujar Osmani, i cili shtoi se është në kontakt me autoritetet greke.

Mungesa e një njoftimi zyrtar nga RMV në lidhje me çështjen e dokumenteve, ka bërë që edhe vetë shtetet të marrin qëndrim të veçantë.

Më 28 shkurt të këtij viti, nga Delegacioni i BE-së në Shkup kanë deklaruar se pranimi i dokumenteve të udhëtimit me emrin e ri të shtetit është punë e çdo shteti në mënyrë individuale.

“Është me rëndësi që Maqedonia e Veriut të vazhdojë t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, duke i përfshirë dhe angazhimet për ndërrimin e dokumenteve të udhëtimit, të përfshira në Marrëveshjen e Prespës. Rikujtojmë se pranimi i dokumenteve të udhëtimit nga vendet e treta është në kompetencë të çdo shteti anëtar veçanërisht”, kanë deklaruar nga Delegacioni i BE-së në Shkup.

Deri më tani, përveç Greqisë, vetëm Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë deklaruar zyrtarisht se nuk i pranojnë dokumentet e RMV-së me emrin e vjetër, qoftë pasaportën apo letërnjoftimin.

Për qytetarët të cilët ndodhen jashtë vendit dhe duan të hyjnë në RMV me pasaportë me emrin e vjetër, do të duhet të marrin fletë udhëtim nga vendi ku qëndrojnë. Për shembull, nëse gjenden në Gjermani, para se të udhëtojnë duhet të sigurojnë fletën e udhëtimi te cila është falas.

“Porosia është që shumica e shteteve lejojnë lëvizje edhe me pasaportat e vjetra nëse është e vlefshme. Megjithatë, veçanërisht u themi qytetarëve që udhëtojnë me veturë, pasi që udhëtojnë nëpër disa shtete të mos rrezikojnë, pasi që është fletëudhëtimi falas, lehtë e marrin dhe ta kenë”, ka deklaruar Osmani më 21 shkurt.

Mbrëmë Osmani mbrëmë për “Sitel” deklaroi se zyrtarisht ka deklaruar se i pranon pasaportat e vjetra vetëm Zvicrra, ndërkaq shtetet tjera “bëjnë lëshime që të kalojnë qytetarët, por nuk kanë dërguar nota zyrtare”.

Në ndërkohë, deri më tani lejohet qarkullimi në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi edhe me letërnjoftime dhe pasaporta me emrin e vjetër të shtetit.

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.