Morën automjetin e komunës dhe shkuan për të shuar zjarrin, në fund e dogjën automjetin dhe disa u lënduan

Disa qytetarë të Maqedonisë së Veriut kishin marrë pjesë në shuarjen e zjarrit në fshatin Bukoviq të Pehçevës, por në fund ata e dogjën automjetin e marrë nga komuna, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua, transmeton Portalb.mk.

“Në RPB në Berovë, ishte raportuar se në fshatin Bukoviq, Pehçevë, ku ishte intervenuar për shuarjen e zjarrit malor, komplet ishte djegur furgoni me tabela të Pehçevës”, raportoi Policia.

Policia sqaroi që ky automjet ishte pronë e Komunës së Pehçevës, e cila ishte dhuruar te qytetarët vullnetarë që kishin marrë pjesë në shuarjen e zjarrit.

“Gjithashtu ishte raportuar se gjatë kohës së shuarjes së zjarreve, pesë vullnetarë kanë thithur tym dhe kanë pësuar lëndime, për çka i është dhënë ndihmë nga Ndihma e Shpejtë Mjekësorë Pehçevë”, sqaroi Policia.

Qendra për Menaxhimin me Kriza ka raportuar që gjatë ditës së djeshme (11 gusht) në ambiente ​​të hapura ka pasur gjithsej 45 zjarre, prej të cilave 10 janë aktualisht aktive, 3 janë nën kontroll dhe 32 janë shuar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut prej një kohe të gjatë është duke luftuar me zjarre të mëdha pyjore që shkaktojnë dëme të mëdha. Për shkak të zjarrit në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize për 30 ditë dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.