Moderatori Jimmy Kimmel nuk i ndal kritikat ndaj Trump: Fashizmi dhe tirania po lulëzon
Moderatori i njohur amerikan i talk show-ve, Jimmy Kimmel, ka sulmuar ashpër presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke paralajmëruar për rritjen e fashizmit dhe dobësimin e demokracisë në SHBA, transmeton Euronews.
Deklaratat Kimmel i bëri në një fjalim të titulluar “Mesazhi Alternativ i Krishtlindjeve”, i transmetuar nga Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar ditën e Krishtlindjeve. Ai u ndal veçanërisht te mandati i dytë i Trump, për të cilin tha se sillet “sikur të ishte mbret”.
“Nga këndvështrimi i fashizmit, ky ka qenë një vit shumë i mirë. Tirania po lulëzon këtu”, u shpreh Kimmel.
Channel 4 ka nisur traditën e këtij mesazhi alternativ që prej vitit 1993, si kundërpeshë ndaj fjalimit tradicional të monarkut britanik, me synimin për të ofruar reflektime personale dhe kritike mbi zhvillimet më të rëndësishme të vitit.
Kimmel ka qenë një kritik i vazhdueshëm i Trump, veçanërisht pas pezullimit të përkohshëm të emisionit të tij “Jimmy Kimmel Live!” nga ABC në shtator, pas polemikave mbi komentet e tij lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk. Trump e kishte përshëndetur vendimin, duke e cilësuar si “lajm të madh për Amerikën” dhe duke kërkuar edhe shkarkimin e moderatorëve të tjerë të natës.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta dhe shqetësime mbi lirinë e shprehjes, ndërsa qindra figura të njohura të Hollivudit dhe industrisë së argëtimit u bënë thirrje qytetarëve amerikanë të mbrojnë të drejtat kushtetuese. Emisioni u rikthye në transmetim më pak se një javë më vonë.
Duke iu drejtuar audiencës britanike, Kimmel tha se mbështetja e gjerë publike për lirinë e fjalës përbënte një “mrekulli të Krishtlindjeve”.
“Ne fituam, presidenti humbi dhe tani jam sërish në ekran çdo natë, duke kritikuar politikanin më të fuqishëm në botë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Kimmel paralajmëroi se shtypja e kritikëve nuk është fenomen i kufizuar vetëm në vende autoritare, duke theksuar se edhe SHBA-ja po përballet me sfida serioze demokratike. Ai u bëri thirrje britanikëve të mos distancohen nga Amerika, duke pranuar se vendi po kalon një periudhë të vështirë.
“Në SHBA po shkatërrojmë themelet e demokracisë sonë nga media e lirë te pavarësia e gjyqësorit. Jemi në një gjendje të keqe dhe e dimë se kjo ndikon edhe tek ju. Na vjen keq”, përfundoi Kimmel.