Modeli i suksesshëm i “automotives” i Maqedonisë së Veriut hyn në testin e tranzicionit

Për më shumë se dy dekada, Maqedonia e Veriut ndërtoi një nga modelet më agresive të Ballkanit për të tërhequr industrinë automotive duke ofruar taksa të ulëta, subvencione nga shteti, fuqi punëtore me kosto të ulët dhe zona ekonomike të posaçme për investitorët e huaj, transmeton Monitor.al.

Rezultati ishte transformimi i një ekonomie të vogël ballkanike në një bazë prodhuese për disa nga furnizuesit më të mëdhenj të industrisë së automobilave në Europë.

Sot, sektori mbështetës automotiv përfaqëson pothuajse gjysmën e eksporteve të vendit, punëson dhjetëra mijë njerëz dhe dominohet nga kompani ndërkombëtare që prodhojnë komponentë për markat më të mëdha globale të automjeteve.

Por modeli që dikur shihej si histori suksesi industrial po përballet me presion të ri: ngadalësimin ekonomik në Europë, tranzicionin drejt automjeteve elektrike dhe pasiguritë gjeopolitike që po godasin zinxhirët globalë të furnizimit.

Sipas të dhënave të “Invest North Macedonia”, në vend operojnë rreth 50 kompani të industrisë automotive, pothuajse të gjitha të përfshira në prodhimin e pjesëve dhe komponentëve për automjete dhe transportit.

Maqedonia e Veriut nuk prodhon automjete në shkallë të gjerë. Ajo prodhon kabllo, sisteme elektronike, pjesë plastike, airbagë, konektorë, sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje, ulëse dhe komponentë të tjerë që përfundojnë në fabrikat e automobilave të Europës.

Sektori automotiv mban 53% të peshës së eksporteve

Në qendër të këtij ekosistemi janë emra si Johnson Matthey, Kromberg & Schubert, Amphenol Corporation, Magna Mirrors dhe Kostal Group, kompani që përfaqësojnë shtyllën industriale të eksporteve maqedonase.

Vetëm pesë kompanitë kryesore të sektorit gjeneruan mbi 2.68 miliardë euro të ardhura në vitin 2024, sipas publikimit “200 më të suksesshmit”. Johnson Matthey, prodhuesi britanik i katalizatorëve, kryeson listën me afro 1.9 miliardë euro të ardhura vjetore, duke e kthyer fabrikën e saj në një nga asetet më të rëndësishme eksportuese të vendit.

Sipas fitimit për vitin 2024, pesë kompanitë kryesore janë Johnson Matthey me 63,925,000 euro, Magna Mirrors me 14,272,000 euro, TAB MAK nga Sllovenia me 7,677,300 euro, Amphenol Corporation me 6,737,730 euro dhe Kromberg & Schubert me 5,405,350 euro.

Industria mbështetëse automotive është bërë praktikisht motori eksportues i ekonomisë. Sipas Këshillit të Investitorëve të Huaj, eksportet e sektorit janë luhatur mes 3 dhe 4 miliardë eurove në vit dhe në vitin 2024 përfaqësonin 53% të eksporteve totale të Maqedonisë së Veriut.

Rëndësia e eksporteve automotive për ekonominë theksohet edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave: “Shkëmbimi tregtar sipas produkteve tregon se peshën më të madhe në eksporte e zënë katalizatorët me bartës metalesh të çmuara ose përbërjet e tyre, setet e kabllove të ndezjes dhe artikuj të ngjashëm për automjete, avionë apo anije, pjesët e ulëseve dhe katalizatorë të tjerë”.

Gjermania tregu dominues, si ndikohet industria nga zhvillimet globale

Në vitin 2025, eksportet drejt Gjermanisë arritën pothuajse 2.9 miliardë euro, shumë më tepër se çdo treg tjetër, duke reflektuar varësinë e drejtpërdrejtë të ekonomisë maqedonase nga industria e automobilave gjermane.

Kjo varësi është njëkohësisht avantazh dhe rrezik. Kur prodhimi industrial në Europë rritet, fabrikat në Maqedoninë e Veriut zgjerohen. Kur kërkesa dobësohet, efekti transmetohet menjëherë tek eksportet, punësimi dhe investimet. Sinjalet e para të presionit tashmë janë të dukshme.

Van Hool, prodhuesi belg i autobusëve (si një proces i plotë) që tashmë operon nën grupin holandez VDL Groep, raportoi humbje prej 30.5 milionë eurosh në vitin 2024, pavarësisht të ardhurave mbi 120 milionë euro.

Kompania paralajmëroi se tarifat e reja doganore të vendosura nga SHBA gjatë vitit 2025 po ndikojnë negativisht në aktivitetin e saj, duke qenë se pjesa më e madhe e eksporteve ishte e orientuar drejt tregut amerikan.

Për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, kjo është një kujtesë se industria automotive mbetet thellësisht e ekspozuar ndaj tensioneve globale tregtare dhe politike.

“Tek investitorët e huaj industrialë që prodhojnë komponentë automotivë dhe produkte të lidhura me këtë sektor, situata është e kujdesshme, me shenja ngadalësimi. Arsyeja është e thjeshtë: fabrikat varen shumë nga porositë europiane. Tensionet gjeopolitike zakonisht nuk e godasin drejtpërdrejt prodhimin, por rrisin presionin mbi logjistikën dhe kostot.

Në një periudhë me luhatje të vazhdueshme të çmimeve të energjisë, prokurimet, magazinat dhe transporti janë nën presion për të ulur kostot dhe për të optimizuar proceset, aq sa lejojnë realisht kushtet aktuale”, thotë Viktor Mizo nga Këshilli i Investitorëve të Huaj në Maqedoninë e Veriut.

Ndikimi ekonomik dhe social i automotives, si janë nxitur shërbimet lokale

Industria në fjalë vazhdon të mbetet një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Sektori mbështetës automotiv punëson rreth 35 mijë persona, dhe një shifër po e lartë është e angazhuar indirekt.

“Investitorët e huaj në industrinë automotive në vend punësojnë rreth 35 mijë persona, të shpërndarë pothuajse në të gjitha qytetet kryesore. Përveç tyre, mbi 10 mijë persona të tjerë janë të angazhuar në mënyrë indirekte përmes furnitorëve lokalë dhe kompanive të shërbimit që punojnë për këta investitorë.

Këtë vit nuk priten ndryshime të mëdha në punësim. Situata në Europë nuk jep arsye për të pritur projekte të reja të mëdha, me punësim masiv; më e mundshme është optimizimi i kostove të punës dhe një ‘rritje e heshtur’”, pohon z. Mizo.

Sot vetëm Kromberg & Schubert dhe Draxlmaier kanë rreth 14 mijë të punësuar së bashku, pothuajse gjysmën e gjithë fuqisë punëtore të sektorit. Për një ekonomi me rreth 1.8 milionë banorë, kjo e bën automotiven një sektor strategjik jo vetëm për eksportet, por edhe për stabilitetin social dhe tregun e punës. Modeli ekonomik i vendit është ndërtuar mbi Investimet e Huaja Direkte.

Incentivat fiskale dhe sfida e transformimit

Qeveritë, njëra pas tjetrës, kanë ofruar stimuj fiskalë agresivë për të tërhequr investime të huaja dhe qeveria aktuale ka në fuqi këtë paketë.

“Për investimet, shteti ofron përjashtim 10-vjeçar nga tatimfitimi dhe ulje 100% të tatimit mbi të ardhurat personale deri në 10 vjet, përjashtim nga tarifat për zhvillimin e tokës, rimbursim të 50% të investimit, paketa shtetërore për trajnimin e stafit, qira afatgjatë të tokës deri në 99 vjet me çmime koncesionare në zonat e lira, si dhe lidhje falas me rrjetet e gazit natyror, ujësjellësit dhe kanalizimeve”, thuhet nga Drejtoria për Zonat Teknologjike të Zhvillimit Industrial.

Kjo politikë e ka kthyer vendin në një nga destinacionet më konkurruese të rajonit për investime prodhuese me intensitet të lartë punësimi.

Maqedonia e Veriut shënoi rekordin prej 1.19 miliardë eurosh në vitin 2024, Investimet e Huaja Direkte ranë me rreth 61% në 2025, në 467.5 milionë euro, duke reflektuar ngadalësimin e flukseve të kapitalit në një ekonomi të varur nga investimet europiane. Gjermania gjithsesi mbeti investitori dominues në vitin 2025, duke përfaqësuar afro 30% të totalit të IHD-ve.

Por debati mbi koston reale të këtij modeli që synon të tërheqë investimet e huaja me taksa të ulëta po bëhet më i theksuar.

Në nivel kombëtar, vijon diskutimi mbi justifikimin e subvencioneve shtetërore dhe lehtësive fiskale për investitorët e huaj, krahasuar me bizneset vendase. Ndërkohë, tranzicioni drejt automjeteve elektrike po ndryshon strukturën tradicionale të furnizimit, duke krijuar rreziqe për disa segmente ekzistuese, por edhe hapësira për investime të reja në elektronikë, sisteme baterish dhe komponentë të avancuar.