Mjerë ai komb kur njerëzit e mençur heshtin si heshtja e viteve

Kushedi sa breza shqiptarësh e kanë kaluar jetën duke pritur shërimin nga iletet që na e ndalin rritën, e që tentojmë t’i heqim qafe duke gjetur fajtorin aty ku nuk është, kryesisht te tjetri. Ndër ato ilete më gangrenoz është shpirti i robit, i cili sulmon njësoj individin dhe kopenë e deleve të (t)ulta të Perëndisë, me bosht poroz drejtpeshimi.

Për shpirtrobin kam shkruar para shumë vitesh se është purtekë e trembur, kush e di prej kujt dhe kush e di prej kur? Shpirtrobit frika i lexohet në dritën e shkërmoqur të bebzave të syrit. Ai është rajë e gjorë, që vret vëllanë për pikën e qejfit, thupër gardhesh të hueja, pjesë kopeshë amorfe, eunuhë servil pa kod identitar.

Duke trajtuar këtë temë, Branko Merxhani, njëri ndër personalitetet më mendjendritur që ka pasur bota shqiptare, konstatoi: “Është një çështje shumë e thellë historie dhe psikologjie kjo, dhe hëpërhë e lëmë me kaq. Ne, në qoftëse dëshirojmë të gjejmë, benda në dekadencën tonë të tanishme, udhët e sigurta që do t’na shpiejnë në një t’ardhme shpëtimi dhe përparimi, para çdo gjëje duhet të gjejmë a dimë shkaqet historike, shoqërore dhe psikologjike të kësaj dekadence”.

Ai mendonte me të drejtë se, për ta bërë këtë, popullit i duhen njerëz të mëdhenj, personalitete që nuk mbijnë nga toka, por që i krijon një fuqi njerëzore, mobilizimi për pushtime morale, që nis me sistemin arsimor, shkrimtarët, poetët, mentarët, të cilët e kuptojnë përpara të tjerëve se për të siguruar rrojtjen dhe lartësimin e popullit, duhet më parë jeta të fitojë vlera kombëtare.

Mjerisht, thëniet e tij nuk i kemi nxënë akoma dhe, nëse nuk këndellemi edhe në këtë gjysëmshekull, zor se do t’na jepet rasti t’i nxëmë më, sepse jemi në një proces të paparë  tëhuajtje nga njëri-tjetri. Ç’emër t’u vëndojmë, ta zëmë, ideve idiote për shuarjen e kombit, në një kohë kur të tjerët ndërtojnë kombe edhe nga qullnajat e racave të pabashkueshme? Përse i jepet gjithë kjo hapësirë veprimi hirës së kombit që na dëmton më keq se 100 hasëm bashkë? Përse u ofrohet hapësira e pamasë mediale qelbësirave që e bëjnë krunde gomerësh grurin shqiptar?

Sahati është dymbëdhjetë dhe nuk besoj të ketë njerëz që akoma s’i kuptojnë mekanizmat rrënues të një etnie, të cilat  i ka portretuar para 100 vitesh dhe si askush tjetër poeti, filozofi dhe piktori i shquar libanezo-amerikan  Khalil Gibran (1888-1931), i konsideruar si njëri ndër krijuesit me të mëdhenj të letërsisë së shekullit të kaluar. Lexoni vetëm njërën nga poezitë prozaike të këtij gjeniu, të cilën e shkëputa nga numri 48 dhe i posabotuar i revistës letrare të Tiranës “illz” , të përkthyer nga Elmaz Fida:

Mjerë ai komb i ndarë, ku çdo pjesë e sheh veten si komb më vete

Mjerë ai komb që vesh çfarë nuk end vetë dhe ushqehet me çfarë nuk e prodhon vetë.
Mjerë ai komb që e konsideron tiranin hero, kurse pushtuesin që e poshtëron të mëshirshëm.
Mjerë ai komb që e ngre zërin vetëm në funerale, nuk krenohet veçse me rrënojat dhe nuk revoltohet veçse kur e ka qafën mes shpatës dhe cungut.
Mjerë ai komb që si udhëheqës ka dhelprën, si filozof magjistarin dhe si artistë laramanët dhe imituesit.
Mejerë ai komb që mirëpret sundimtarin me daulle dhe i jep lamtumirën me fishkëllima, për ta pritur një tjetër me daulle e fyej.
Mjerë ai komb kur njerëzit e mençur heshtin, si heshtja e viteve.
Mjerë ai komb ku burrat e zot përpëliten në rehatinë e shtratit.
Mjerë ai komb i ndarë, ku çdo pjesë e sheh veten si komb më vete.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.