Mirë se vini në vendin ku, pas dekadash të tëra, kupton që nuk ishte sistemi i kalbur, por ishin njerëzit me mendësi të kalbur që e mbanin gjallë një sistem të tillë.
Mirë se vini në vendin ku, mendësia e kalbur e njerëzve ngrihet kundër kauzës tënde, duke u arsyetuar me fjalët: “Kategoria juaj të mjaftueshme e keni të mbijetoni me kushtet që i keni, mos kërkoni të drejta të tjera.”
Mirë se vini në vendin ku, vetëm pse egos tonë nuk i përmbushet një kërkesë, mundohemi që përmes vrazhdësisë t’ua mohojmë edhe të tjerëve një gjë të tillë.
Mirë se vini në vendin ku, të kërkosh të drejtat e tua llogaritet krim dhe tentim ndërtimi të mendësisë për t’u trajtuar si mbret, ndërsa t’ua vjedhësh dhe keqpërdorësh të drejtën e të tjerëve, quhet zotësi madje edhe duartrokitesh.
Mirë se vini në vendin ku, i mirë je vetëm në mungesë të një kauze, ndërsa kur vë në pah kauzën tënde dhe e ngrit zërin, llogaritesh çrregullues ose njeri që me çdo kusht po kërkon të krijojë një gjendje alarmante.
Mirë se vini në vendin ku, e rrezikshme quhet kërkesa që ty të të lehtësohet mënyra e jetesës pa e cënuar kushtetutën dhe ligjet e një vendi, ndërsa të kaplon heshtja absolute kur këtë kërkesë e realizojnë të aftët fizikisht, edhe përkundër faktit se kokë e këmbë kanë realizuar qejfe egoiste anti çdo ligji dhe kushtetute.
Mirë se vini në vendin ku, të flasësh për të drejtën tënde quhet fontanë dëshirash, ndërsa t’i heshtësh të tjerët për të drejtën e tyre, quhet forcë, pushtet dhe e drejtë e garantuar.
Mirë se vini në vendin ku, personat me aftësi fizike të veçanta trajtohen në mënyrë të veçantë duke ua kufizuar edhe mundësitë për ta shijuar një nevojë apo kënaqësi personale të tyren.
Mirë se vini në vendin ku, personi me aftësi të veçanta fizike, edhe pse është i aftë të tregojë aftësitë e tij në vozitje, është i kufizuar tashmë shumë kohë nga njerëz të papërgjegjshëm që marrin përgjegjësi udhëheqëse, dhe këtë udhëheqësi e shndërrojnë në qejfe personale ashtu si iu kujtohet.
Mirë se vini në vendin ku, të aftët fizikisht gëzojnë benefite super luksoze vetëm për faktin se e kanë njeriun aty brenda për t’ua kryer punët në nivelin dhe mënyrën si i konvenon, ndërsa për personat me nevoja të veçanta, kërkohen një valixhe me dokumente edhe për çështjen më të vogël.
Mirë se vini në vendin ku, personi me nevoja të veçanta është i kufizuar edhe në vlerën e çmimit të veturës së importuar nga një shtet tjetër për të pasur të drejtën të përfitojë subvencione shtetërore në një përqindje të caktuar, ndërsa personi i aftë fizikisht e kthen çdo gjë nga e mbara në të mbrapsht, vetëm e vetëm t’i realizohet çdo gjë në fitimprurëse.
Mirë se vini në vendin ku, shumë jo aq të aftë në aspektin intelektual, personave me aftësi fizike ua mundësojnë një jetë edhe më të vështirë se sa ua ka caktuar Krijuesi që në krijimin e tyre.
Mirë se vini në vendin ku, egoja është në krye të institucioneve, ndërsa ndërgjegjja brenda katër mureve të shtëpisë.