Ministria e Energjetikës e RMV-së shpalli listën e familjeve që do të marrin subvencione për energjinë elektrike
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informon se procedura për përpunimin, vlerësimin dhe verifikimin e të gjitha aplikimeve të pranuara për mbështetje financiare përmes Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë për vitin 2025 ka përfunduar. Pas kontrolleve të hollësishme të kryera nga komisionet dhe verifikimit të të dhënave me institucionet kompetente, lista e të gjithë personave dhe familjeve që kanë fituar të drejtën për subvencion është publikuar, transmeton Portalb.mk.
Vendimet për mbështetjen financiare, siç thuhet nga Ministria, janë miratuar për kategoritë vijuese: familjet me një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara të rënda ose të thella intelektuale, familjet me një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara fizike më të rënda, familjet me një ose më shumë persona plotësisht të verbër dhe familjet me një ose më shumë persona plotësisht të shurdhër.
“Komisionet e kanë përfunduar procedurën e inspektimit dhe verifikimit në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe ‘EVN Maqedoni’. Sipas rezultateve, janë përcaktuar përfituesit që plotësojnë kriteret e parashikuara nga Programi, me subvencionin që llogaritet si ulje mujore e faturës së energjisë elektrike në shumën prej 1.000 denarësh, për një periudhë prej 12 muajsh nga data e dorëzimit të kërkesës. Lista e publikuar është e disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë së Energjetikës (www.energy.gov.mk)”, tha Ministria e Energjetikës.
Ministria kujton se mospagimi i dy faturave të njëpasnjëshme të energjisë elektrike çon në anulimin e vendimit për mbështetje financiare, në përputhje me rregullat e Programit.
“Mbështetja financiare shpërndahet sipas parimit të të ardhurave më të ulëta dhe në përputhje me fondet e përcaktuara buxhetore. Programi i vitit 2025, i cili siguron një total prej 42,300,000 denarësh mbështetje shtetërore, synon të sigurojë energji të përballueshme dhe të besueshme për familjet që përballen me varfëri energjetike, me fokus të veçantë tek personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës minimale të garantuar. Përveç kësaj, masat përfshijnë përjashtimin nga kostot e rilidhjes, heqjen prioritare të defekteve dhe mbrojtjen nga shkyçja në periudhën e dimrit”, shtohet njoftim.
Edhe pse masat synojnë përmirësimin e standardit të jetesës për kategoritë vulnerabël, megjithatë, hapja e shpalljes dhe zbatimi i tyre pak para zgjedhjeve lokale ngriti dyshime për përdorim politik të ndihmës sociale për qëllime elektorale.