Ministri Sveçla foli për rastin e ish-luftëtarit të UÇK-së që u arrestua në Maqedoninë e Veriut

Nuk do të lejojmë që një kërkesë kriminele e një vendi të tretë i cili nuk ka bazë juridike as në të drejtën ndërkombëtare të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë takimit me homologun nga Maqedonia e Veriut, Pançe Toshkovski, raportoi MIA.

Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani i cili u arrestua javën e kaluar në vendkalimin kufitar Jazhincë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, numri një i policisë së Kosovës thotë se për rastin tash më ka vendosur gjykata e Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj se për rastin duhet të pyesni në Ministrinë e Drejtësisë, një ministri që mbulon këtë fushë. Sa i përket ekstradimit të shtetasit tonë me kërkesë të Serbisë, për atë rast ka një deklaratë, ka vendosur edhe gjykata në Republikën e Maqedonisë. Ne jemi të gatshëm të flasim dhe të punojmë si dy vende fqinje dhe si dy vende mike dhe nuk do të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë që nuk ka bazë ligjore në të drejtën ndërkombëtare të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, theksoi Sveçla.

Në lidhje me kërkesën e sotme të ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov që Kosova të ekstradojë Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin të dy të dënuar me burgim të përjetshëm në rastin e njohur si “Monstra”, Sveçla thotë se nuk duhet që këto dy raste të ndërlidhen.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik vlerësoi që autoritetet e Maqedonisë së Veriut do të marrin vendim për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së.

Më 20 korrik u protestua para objekteve të gjyqësorit në Shkup, ku u kërkua lirimi i Ramadanit. E njëjta kërkesë u parashtrua edhe në protestën e mbajtur më 25 korrik në Ferizaj.