Mijalkov shpëtoi nga burgu prej dy vitesh për rastin “Titanik 2”, Apeli shfuqizoi akuzën pasi vepra u vjetërua pas ndryshimeve në Kodin Penal

Gjykata e Apelit në Shkup sot ka thënë se e hedh poshtë akuzën ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) Sasho Mijalkov, bazuar në ndryshimet në Kodin Penal. Pjesa tjetër e të pandehurve, ish anëtarët e Komisionit Zgjedhor Sasho Sërcev, Bedredin Ibraimi dhe Vllatko Sajkoski, si dhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, u dënuan me burgim me kusht, transmeton Portalb.mk.

“Gjykata e Apelit në Shkup, në interes të opinionit dhe mediave informon se duke vepruar në lëndën penale të njohur në opinion si “Titanik 2”, pas seancës publike që është mbajtur më 15.9.2023, dhe pas shqyrtimit dhe votimit më 29.9.2023, ka marrë aktgjykim me të cilin pranohen pjesërisht ankesat e të pandehurve M.Th. nga T., B.I. nga T., V.S. nga K., S.S. nga S. dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup në pjesën e vendimit për sanksionin penal. Në të njëjtën kohë, me rastin e ankesave të të akuzuarit S.M. nga S. dhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup e ndryshoi në pjesën kundër të akuzuarit SM. nga S. , duke marrë vendim rrëzimin e akuzës, në përputhje me nenin 402 pika 6 të Ligjit për pricedurë pebale. Vendimi i marrë në këtë mënyrë publikohet i plotë në ueb faqen e gjykatës, në përputhje me Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve nëpër gjykata”, njoftoi sot Apeli.

Për rastin Titanik 2 kishte dy gjykime. Edhe në gjykimin e përsëritur, Gjykata Penale i shpalli fajtorë të gjithë të pandehurit dhe i dënoi me dy vjet burg. Sipas arsyetimit të aktgjykimit të dytë, i cili ka dënime më të ulëta se i pari, të pandehurit kanë kryer shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës zgjedhore në interes të interesave të tyre partiake. Mijallkov u akuzua për marrjen e një shpërblimi për ndikim të paligjshëm, ndërsa Thaçi dhe ish anëtarët e KSHZ-së për shkelje të së drejtës së votës.

Sipas aktakuzës, Sasho Mijallkovi, duke e shfrytëzuar fuqinë e vet të cilën e ka pasur në shoqëri dhe raportet e afërta me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, në vitin 2013-të, është paraqitur te ai dhe i ka kërkuar, që anëtari i KSHZ-së nga PDSH-ja, Bedredin Ibraimi të votojë për shkatërrim të votimit në vendvotimin në Strumicë, edhe pse për atë nuk ka pasur bazë. Thaçi është paraqitur te Ibraimi, dhe ai ka votuar për shkatërrim.

Anëtarët tjerë të KSHZ-së, Sërcev, Sajkovski dhe Stefanova, edhe ato kanë votuar për shkatërrim të votimit, edhe pse numri i votuesve të regjistruar dhe numri i votuesve ka qenë i njëjtë. Ky vendim i KSHZ-së ka ndikuar që të ketë rivotim, dhe të dëmtohet buxheti.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete akuzohet për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”.

Nga “bombat” e publikuara të partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), kur ka qenë në opozitë, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.

  • LEXO: Rasti “Titanik 2”, Mijalkov, Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit u dënuan me nga dy vjet burg.