I dënuar në rastin “Titanik“, me certifikatë dhe zgjedhje të kontestueshme, është dërguar në Vjenë, Agjencia e Zbulimit gjuan “urithë” për pretendimet që i demanton
I dënuari me vendim të plotfuqishëm në rastin e parë që e hapi Prokuroria Speciale Publike, „Titanik“, të cilin opinioni më së shumti e mbajti mend për frazën “do t’i tërheqim për veshësh që të votojnë“, Kiro Todorovski, është përfaqësuesi i ri i Agjencisë së Zbulimit (AZ) në Vjenë, diplomat që duhet ta përfaqësojë Agjencinë në komunitetin e atjeshëm të zbulimit, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
“Slloboden Peçat“ siguroi dokumente nga “sinjalizuesit“ në të cilat pretendohet se emërimi i tij është shoqëruar me një sërë kontroversash, duke filluar nga dënimi me kusht, për të cilin ai e pranoi vetë fajësinë para gjyqit, e deri te ndryshimet e pretenduara të rregulloreve që ai t’i plotësojë kushtet për zgjedhje.
Agjencia, nga ana tjetër, e demanton këtë, por në të njëjtën kohë i kërkon edhe “urithët” brenda institucionit që kanë nxjerrë informacione të klasifikuara.
Për këtë rast është dorëzuar denoncim te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të cilin kontestohet certifikata e tij e sigurisë “sekret shtetëror”, si dhe kallëzim penal në Prokurorinë Publike – Shkup kundër Drejtoreshës së Agjencisë, Gabriella Jakovleva dhe ndihmësit të drejtorit të Agjencisë dhe kryetar të Komisionit për Zgjedhjen e Përfaqësuesit të AZ në Vjenë për shpërdorim të pozicionit dhe autoritetit zyrtar dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim.
Certifikata e sigurisë është kontestuar në KSHPK
Në vitin 2019 Todorovski u shkarkua nga Agjencia e Zbulimit pasi e humbi certifikatën e tij të sigurisë për shkak të akuzave, por në nëntor të vitit 2025 ai u rikthye në punë dhe menjëherë në muajin korrik u dërgua në kryeqytetin e Austrisë ku punon edhe gruaja e tij, kështu që tani shteti do paguajë për makinën, apartamentin dhe shkollimin e fëmijëve të tij në Vjenë.
E përderisa disa nga deputetët që duhet t’i mbikëqyrin agjencitë e zbulimit nuk kanë marrë certifikatë për vite me radhë, në dokumentet thuhet se Todorovski e ka marrë certifikatën “sekret shtetëror” për më pak se tre muaj pasi u rikthye në detyrë, edhe pse dosja e tij nuk është e pastër, ndërsa Ligji për Informacionin e Klasifikuar parasheh që kontrollet të zgjasin gjashtë muaj.
Nëse interpretohet ligjërisht Todorovski nuk mund të fshihet nga evidenca ndëshkuese sepse ai në vitin 2023 u dënua me një dënim të plotfuqishëm me kusht prej dy vitesh, të cilin nuk do ta vuajë nëse brenda pesë viteve nuk kryen një vepër penale të re.
Për të pasur një dosje të pastër duhet të kalojnë dy vitet e dënimit, pesë vitet nga afati i kontrollit dhe një vit pas përfundimit të periudhës së kontrollit, që do të thotë deri në vitin 2028.
“Lëshimi i certifikatës për këtë person tregon për keqpërdorim të funksionit, autorizimit publik, detyrës zyrtare ose pozicionit me qëllim realizimin e përfitimit, drejtpërdrejt ose përmes një ndërmjetësi, për vete ose për një person tjetër, si dhe veprim të paligjshëm, pandërgjegjshëm, joprofesional të zyrtarëve të autorizuar në Drejtorinë për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (DSIK), të cilët kanë lëshuar një certifikatë të tillë dhe në AZ, të cilët kanë përcjellë një kërkesë të tillë në DSIK edhe pse e kanë ditur se personi i dënuar nuk i plotësonte kërkesat ligjore për lëshimin e një certifikate”, thuhet në denoncimin e bërë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Kallëzimi penal në Prokurori përqendrohet në favorizimin e Todorovskit për të shkuar në Vjenë me çdo kusht dhe pretendon se janë ndryshuar rregulloret dhe janë shkelur afatet.
Janë ndryshuar rregulloret dhe kushtet?
Siç thuhet në denoncim konkursi supozohet se nuk është shpallur brenda afatit të përcaktuar, sepse është pritur që personi të merrte një certifikatë sigurie, gjegjësisht dy muaj pas përfundimit të mandatit të përfaqësuesit të mëparshëm të Agjencisë në Vjenë. Sipas denoncimit, paraardhësi i Todorovskit ishte i vetmi nga përfaqësuesit mandati i të cilit nuk është zgjatur për gjashtë muaj. Konkursi i brendshëm është shpallur më 3 mars të këtij viti.
Në denoncim pretendohet se është bërë ndryshim i qëllimshëm i kushteve të konkursit, kështu që supozohet se Jakovleva ka bërë një ndryshim të kushteve për konkurrim në aktin “Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregulloreve për referim, të drejta dhe detyrime, pagat…” ku ajo ka bërë dy ndryshime kyçe të kushteve.
Sipas denoncimit Jakovleva dyshohet se e ka ndryshuar rregulloren për të siguruar që edhe sikur Todorovski të mos e kalonte procedurën, ajo të mund ta dërgonte atë sipas të drejtës të saj diskrecionale, dhe edhe sikur të mos kishte një certifikatë të vlefshme sigurie ajo të mund ta dërgonte në Vjenë. Ndryshimi i dytë që supozohet se e ka bërë Jakovleva ishte se ajo e ka fshirë kushtin sipas të cilit punonjësi duhej të kishte një vlerësim të punës në vitin paraprak.
Sipas të dhënave që i ka marrë nga njësitë organizative Komisioni fillimisht ka konstatuar se ai nuk i plotëson kushtet, gjegjësisht se nuk ka pasur certifikate të vlefshme në Agjenci dhe nuk ka pasur vlerësim të punës nga viti 2015 deri në vitin 2019 dhe procesverbalin e kanë nënshkruar të gjithë anëtarët e Komisionit.
Megjithatë, drejtoresha nuk e ka anuluar konkursin, por ka dërguar shkresa në DSIK dhe institucione të tjera dhe ka kërkuar mendim nëse personi i plotësonte kushtet. Ajo dyshohet se ka ushtruar presion mbi komisionin që të mblidhej përsëri dhe t’i shqyrtonte dokumentet e reja dhe ta zgjidhte Todorovskin si përfaqësues në Vjenë.
“Një rol në të gjithë këtë aktivitet të paligjshëm luan fakti që qëllimi është ribashkimi i personit të dënuar me familjen e tij në Vjenë. Kështu, përmes përzgjedhjes së paligjshme shteti do t’i paguajë shpenzimet që çifti i martuar përndryshe do të duhej t’i përballonte privatisht”, thuhet në letrën drejtuar redaksisë.
AZ do gjuajë “urithë” që nxjerrin informacione të cilat ajo i demanton
“Slloboden Peçat” i dërgoi pyetje Agjencisë së Zbulimit në lidhje me të gjitha akuzat që arritën në redaksi. Edhe pse iu referuan informacionit të klasifikuar, ata i demantuan kategorikisht ato dhe i vlerësuan pretendimet si të pabaza, të pavërteta dhe si dezinformata.
“Agjencia e Zbulimit nuk mund të përgjigjet, sepse procedura për zgjedhjen e përfaqësuesve të Agjencisë në misionet diplomatike dhe konsullore jashtë vendit përmban informacion të klasifikuar dhe çdo ndarje e tyre në publik është e paligjshme. Por, dëshirojmë të theksojmë se pretendimet e përmbajtura në pyetje bazohen në pretendime të pabaza dhe janë pjesë e dezinformatave dhe të pavërtetave të vazhdueshme, të cilat janë plasuar në publik në periudhën e kaluar, me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe kredibilitetit të Agjencisë së Zbulimit dhe udhëheqësisë së saj. Agjencia e Zbulimit i hedh poshtë kategorikisht të gjitha pretendimet për sjellje të paligjshme në zbatimin e procedurës për zgjedhjen e përfaqësuesve në misionet diplomatike dhe konsullore, pretendimet për ndikim të paligjshëm në punën e komisioneve, si dhe mosrespektimin e procedurave ligjore dhe të brendshme”, thonë nga Agjencia.
Në pjesën e dytë të përgjigjes, nga Agjencia, edhe pse pretendojnë se informacionet janë të pasakta, thonë se po punojnë në zbulimin e spiunëve në institucion që po zbulojnë informacione të klasifikuara.
“Është sidomos shqetësues fakti që në periudhën e kaluar Agjencia e Zbulimit ka qenë objekt interesi për çështje që janë të klasifikuara nga natyra e tyre ose burojnë nga procedurat zyrtare. Agjencia e Zbulimit vazhdimisht merr masa për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe në këtë drejtim bashkëpunon me institucionet kompetente për përcaktimin e zbulimit të paautorizuar të informacionit të klasifikuar, për identifikimin e personave përgjegjës dhe për të marrë masa, siç parashihet me ligj”, shtojnë nga atje.
Por, Agjencia këtë do duhet ta provojë para Prokurorisë Publike – Shkup ku është ngritur kallëzim penal. Kallëzimi ka arritur edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Të dy institucionet në përgjigje për “Slloboden Peçat” konfirmuan se i kanë pranuar kallëzimet dhe se po veprohet sipas tyre.
Përndryshe Todorovski e pranoi fajësinë për aktivitetet e paligjshme që iu ngarkuan në “Titanik”, ndërsa Gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin me kusht. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ish-ministres së punëve të brendshme Gordana Jankulloska, ndërsa pas “Lagjes së Trimave” ai u largua nga Ministria e Punëve të Brendshme për në Agjencinë e Zbulimit.