Europe House Shkup shënoi ditëlindjen e 4-të në hapësirat e Postës kryesore

Më 13 nëntor 2023, në Ditën e Çlirimit të Shkupit, Europe House Shkup shënoi ditëlindjen e 4-të në Postën kryesore në Shkup. Me këtë rast, salla e braktisur e sporteleve të objektit monumental u shndërrua në vend ku do të ekspozoheshin punimet e arkitektëve të rinj të paraqitur në konkursin “Shkupi i Gjeneratës së Re”. Europe House nisi konkursin për nder të 60-vjetorit të tërmetit të Shkupit. Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian dhe Bisera Kostadinovska-Stojçevska, Ministre e Kulturës hapën ditëlindjen e “vendit të parë të gjeneratës së re” në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Kanë kaluar katër vjet nga fillimi i projektit të Europe House në Maqedoninë e Veriut dhe nga hapja e parë e Europe House në Shkup në nëntor të vitit 2019 nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Europian David Sassoli (1956 – 2022). Që atëherë, Europe House ka evoluar si një qendër unike që angazhon kryesisht, por jo ekskluzivisht, të rinj nga të gjitha sferat e jetës, duke ofruar përmbajtje të ndryshme cilësore dhe një vend për zvillim në vende të ndryshme anembanë vendit.

Ditëlindja e vitit 2023 e Europe House në Shkup është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me 60-vjetorin e tërmetit në Shkup si simbol i rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë. Konkursi “Shkupi i gjeneratës së re” u lansua me qëllim të rikujtimit të trashëgimisë kulturore që duhet mbrojtur dhe çmuar. Por, edhe t’u bëjmë thirrje të rinjve që të shikojnë në të ardhmen dhe të paraqesin vizionin e tyre për një Shkup më gjithëpërfshirës, ​​më të zhvilluar dhe më të qëndrueshëm.

Posta kryesore e Shkupit u zgjodh si vend për prezantimin e këtyre vizioneve pasi ajo përfaqëson një trashëgimi kombëtare historike që formësoi identitetin arkitektonik të Shkupit pas tërmetit. Në vitin 2021, programi Europa Nostra e renditi Postën Kryesore të Shkupit në mesin e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë. Më 26 korrik 2023, Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve publikuan raportin e tyre për këtë Postë, duke kërkuar rehabilitimin e menjëhershëm të kësaj ndërtese historike. Sot, Posta ende nuk ka çati dhe ekziston rrezik në rritje për mospërdorim dhe përkeqësim të gjendjes së saj.

Ambasadori Geer e hapi ngjarjen me një citim të romancierit dhe aktivistit ekzistencialist francez, Jean-Paul Sartre, që dha pas tërmetit të Shkupit të vitit 1963: “Shkupi nuk është një film, as një thriller ku ne hamendësojmë ngjarjen kryesore. Është një përqendrim i luftës së njeriut për liri, me një rezultat që frymëzon luftëra të mëtejshme dhe jo pranim të humbjes”. Duke përdorur fjalët e Sartrit në ambientet e Sallës së Sporteleve, ai nënvizoi rëndësinë e mospranimit të humbjes dhe prezantoi fituesit e konkursit “Shkupi i gjeneratës së re” dhe aftësitë e tyre të jashtëzakonshme për të formësuar të ardhmen urbane të Shkupit:

  • Vendi i tretë – Natali Veleska, Alen Cvetkovski dhe Dona Mitrovska për “SpineX”, projekti për rinovimin e rrugës “Plasticharska”;
  • Vendi i dytë – Daniela Vasileva, Sara Veleska dhe Sara Trajkova me “Reimagining Colorwaves”, duke rigjallëruar Kejin Dimitar Vlahov në lumin Vardar.
  • Antonio Grujevski fitoi vendin e parë për projektin “Lotus për të: Një oaz i qëndrueshëm në parkun e qytetit të Shkupit” që bashkon natyrën dhe dizajnin urban, duke mishëruar planifikimin inovativ dhe të qëndrueshëm urban.