Mexhiti: Mbi 1000 receta për terapi kronike kanë përshkruar mjekët amë në një ditë, reforma po funksionon

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti vizitoi sot poliklinikën “Jane Sandanski” në Shkup, ku bisedoi me një pjesë të mjekëve amë dhe me pacientë, lidhur me avantazhet e masës së re të reformës në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP). Në kuadër të vizitës, Mexhiti vizitoi edhe repartin intern të Poliklinikës ku avantazhet e reformës së re, siç thonë nga Ministria janë më të dukshme, transmeton Portalb.mk.
“Procesi i punës me pacientët të cilëve u përshkruhet terapi kronike nuk është aspak e komplikuar, udhëzimet  qartë të shkruara në shtigjet klinike e bëjnë më të lehtë për mjekët e familjes, ndaj kemi një fillim të shkëlqyer të reformës. Dje, sipas të dhënave nga “Termini Im”, 506 pacientë kanë marrë terapi për sëmundjen e tyre kronike nga mjeku i familjes. Janë përshkruar 1,073 barna. Me këtë masë reforme, e cila bëri të mundur që terapia e përshkruar nga specialistët të përshkruhet tani nga mjekët e familjes, bëmë ndryshime dhe përmirësime thelbësore për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë”, tha ministri Mexhiti.

Me masën e re të reformës, pacientët me diabet, astmë, SPOK, funksion të reduktuar të tiroides dhe hipertension nuk kanë pse të shkojnë në Klinikë për të vazhduar ose përshkruar terapi kronike, ata mund ta bëjnë këtë tek mjeku i familjes që e kanë prej kohësh. Përparësitë e kësaj mase janë se pacientët nuk janë të ekspozuar ndaj shpenzimeve, ata mund të marrin terapi për sëmundjen e tyre kronike tek mjeku i familjes, në vendin ku ata jetojnë. Kjo masë reforme forcon  rolin dhe rëndësinë e mjekëve të familjes në sistemin shëndetësor. Reformat në KSHP lehtësojnë barrën administrative dhe gjithashtu zvogëlojnë presionin mbi kujdesin shëndetësor sekondar dhe terciar.

Kjo masë hyrë në fuqi dje, ku u theksua se në këtë formë do t’u lejohet profesionistëve të shëndetësisë dytësore dhe terciare të fokusohen në shkencë.

Të gjitha këto aktivitete, që janë pjesë e reformës së shëndetësisë primare, deklaroi ministri Fatmir Mexhiti, janë masë reformuese edhe në programin për reforma ekonomike në Qeveri për periudhën 2023-25, ndërsa është paraqitur edhe propozimi për të hyrë në strategjinë e Bankës Botërore për partneritet me shtetin tonë për periudhën 2024-2028.