Mësimi në Llopat edhe këtë vit filloi nën çatinë me azbest: Plot premtime, aspak punë (Video)
Edhe ky vit shkollor, si shumë të tjerë, për nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Kongresi i Manastirit” në fshatin Llopat të Komunës së Kumanovës filloi në objektin me çati të azbestit dhe kushte të këqija. Pavarësisht rrezikut dhe nevojës së madhe për rikonstruim, në këtë shkollë autoritetet nuk po ndërmarrin asgjë në terren, shkruan Portalb.mk.
Nxënësit në “Kongresin e Manastirit” edhe këtë vit do ta vijojnë procesin mësimor nën çatinë me azbest, substancë jo e preferuar dhe rrezik potencial për shëndetin.
Drejtori i SHFK “Kongresi i Manastirit” në Llopat, Shpend Muhtari për Portalb.mk tha se pas kërkesës së bërë nga shkolla, komuna e ka përgatitur projektin për renovimin e çatisë dhe më pas ia ka dorëzuar atë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Ai tha se shkolla aktualisht është në pritje të realizimit të projektit dhe shpreson që punimet të nisin në një të ardhme të afërt, duke pasur parasysh procedurat teknike që duhet të ndiqen.
“Kanë kaluar dy vite që kur projekti është dorëzuar nga Komuna në MASH. Kemi premtime dhe besojmë se projekti do të realizohet në të ardhmen, për të mirën e nxënësve dhe stafit mësimdhënës”, tha Muhtari.
Nga ana tjetër, këshilltari i AKI-së, Blerim Hyseni, tha se disa herë në seancat e Këshillit Komunal ka kërkuar ndërrimin e çatisë së shkollës në fshatin Llopat. Ai tha se për këtë çështje i ka parashtruar edhe pyetje kryetarit të komunës, i cili, sipas tij, është përgjigjur se në këtë shkollë janë bërë investime, pa dhënë premtim konkret se kur do të rregullohet edhe çatia.
“Po, madje disa herë në seancat e Këshillit Komunal kam kërkuar ndërrimin e çatisë së shkollës në fshatin Llopat. Për këtë çështje i kam parashtruar edhe pyetje kryetarit të Komunës, por ai ka thënë se janë bërë investime në këtë shkollë, pa premtuar se një ditë do të rregullohet edhe çatia e shkollës fillore në fshatin Llopat. Për çdo investim që bëhet në pjesët ku jetojnë qytetarë joshqiptarë gjenden mjete dhe realizohen projekte, ndërsa në pjesët apo fshatrat ku jetojnë shqiptarë gjenden arsyetime të ndryshme, vetëm e vetëm që të mos realizohen projektet infrastrukturore”, tha Hyseni.
Portalb.mk e kontaktoi edhe Komunën e Kumanovës, por deri në publikimin e kësaj storje nuk u përgjigjën.
Vitin e kaluar, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës patën thënë se kjo shkollë është në plan për investime, megjithatë jo për në vitin 2026.
Kujtojmë që pjesa e vjetër e shkollës në Llopat është ndërtuar më vitin 1965, ndërkaq pjesa e re në vitin 1988. Për problemet është raportuar prej dekadash, por pa zgjidhje.