Mendësia statike dhe ‘jeta e zhveshur’

Shprehja e parë është sinonim i mendësisë fikse, rigjide, jofleksibile. Një mentalitet që nuk pranon ndryshim, evoluim apo rishikim të bindjeve, shpesh i lidhur me ide fikse, tradita të forta ose frikë nga e ndryshmja. Në plan sociologjik, një shoqëri me mendësi statike priret të ruajë status quo-në, ndërsa një shoqëri me mendësi dinamike është më inovative dhe e hapur.

Këtyre ditëve po diskutohet zjarrshëm çështja e provimit të judikaturës në gjuhën shqipe, nën rëndesën e refuzimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe të opinionit publik etnik maqedonas. Ra ky rast dhe edhe një herë doli na pah pjesa nënujore e iceberg-ut të vetëperceptimit dhe tjetri-perceptimit të nënshtresave të shumta qytetare, nga intelektualët  deri te nivelet më të ulëta që u shprehën nëpër media dhe rrjetet sociale me një antipati publike ndaj shqipes.

Është e vërtetë që protesta e 6 prillit kishte edhe mangësi, si mungesa e flamujve shtetërorë, një kundërthënie kjo par exellance. Drejtohesh drejt institucioneve të shtetit a defileja duket sikur ndodh në një tokë jashtë-Maqedoni, për të mos thënë në Shqipëri. Kjo është kështu, e pranojmë ose jo. Pati brohoritje “Ne jemi bijtë e këtij vendi”, “Maqedonia e Veriut është shtëpia jonë”, por dimensioni simbolik ishte tjetërfare. Nesër dikush nga studentë tanë të atyshëm dhe të tjerë do të jenë zyrtarë të këtij shteti dhe cilin flamur do ta kenë në prapaskenë, do të firmosin edhe dokumente zyrtare, ndoshta në nivel ndërkombëtar, sërish do ta identifikohen me këtë flamur.

Pra në këtë temë duhet të jemi edhe vetëkritikë: brezi 2000 e këndej kanë probleme shumë serioze me gjuhën, me maqedonishten, një pjesë e mirë nuk e dinë, madje as janë të interesuar ta mësojnë. Kjo është rezultat edhe i një socializimi negativ që e ushtrojmë ne të gjithë. Gjuha është kapital, kjo është premisa kryesore. Njohja e gjuhës së fqinjit dhe e tjetrit të largët është pasuri, mosnjohja është mangësi, është stanjacion dhe bllokim social. Si do të punojnë këta të rinj në institucionet publike, si do blejnë në pazar, se në qendrat tregtare ndoshta në anglishte do të merren vesh? Pyetja kauzale: “Po pse s’e mësojnë ata shqipen tonë?”, shpie në një shteg vicioz.

Në këtë shkrim do të bëjmë një analizë të përmbajtjes së diskursit të përdorur këtyre ditëve nga qytetarë etnikë maqedonas lidhur me protestën studentore dy mediume. Në infomax.mk të 6 prillit 2026 gjejmë këto komente: “Drejt për në Shqipëri… këtu protestohet me flamuj maqedonas”; “Дивотија, тешко племе.” (Egërsia, fis i rëndë.); “Protestojnë vetëm ata që nuk paguajnë taksa ndaj shtetit të Maqedonisë.”; “Mendërisht të prapambetur.”; “Ikni në Kosovë nga keni ardhur”; “Është një fis i mësuar të urrejë dhe të luftojë. Vetëm me Amerikën mburren / mbështeten.”; “Vetëm kamxhiku u vjen hakut”; “Ata janë 90% analfabetë!”; “Alo MPB!”; “Policia dhe të gjithë jashtë Maqedonisë!”; “Të dalë nga xhungla”; “Atyre duhet marrë nënshtetësitë dhe kuferët për në Shqipëri!”; “Armiq të brendshëm”.

Në mediumin e dytë të analizuar, vestimak.mk, 7 prill 2026, ku jepet teksti i një analisti shqiptar që thotë se problemi qëndron te matrica “Maqedonia e maqedonasve”,  shohim qasjen e njëjtë: “Shtetin maqedonas e kanë bërë maqedonasit, për këtë arsye është i maqedonasve.”; “Ardhës të pasigurtë”, “Nëpër bukën kërkoni pogaçë”; “Shqiptarët kanë shtetin e tyre.”; “Të themi pra se Shqipëria është e maqedonasve, ë?”; “Gegë, ikni te tribuja!”; “E kanë bërë shtetin xhuboks dëshirash…”; “Në pasaportë ju shkruan Maqedoni, mos ankohuni!”; “Ju do të kishit dhënë provimin e UÇK-së!”

E gjithë kjo pasqyrë e reaksioneve të demosit maqedonas flet për një vizion etnik përjashtues, për albanofobi të qartë endemike, për shovinizëm që nuk prodhojnë asgjë pozitive, që shpien drejt asaj që në literaturë njihet si breakdown of society, shpërbërje e shoqërisë. Më e keqja është se kësifarë filozofie sociale kultivojnë edhe inteligjencia, që në rastin e fundit u vërejt në postimet e disa profesorëve universitarë që shprehën mbyllësinë patologjike ndaj barazisë gjuhësore.

Opinionit publik maqedonas do për shqiptarët atë që filozofi  italian Giorgio Agamben e ka quajtur “jetë të zhveshur” (La nuda vita), gjegjësisht jetë të thjeshtë, që nënkupton jetën njerëzore të reduktuar vetëm në ekzistencë biologjike, një jetë pa të drejta politike, juridike apo sociale, një gjendje ku individi ekziston, por nuk njihet si subjekt me dinjitet. Refugjatët në kampe, të burgosurit në regjime ekstreme, apo njerëzit pa shtetësi mund të reduktohen në “jetë të zhveshur”. Në gjuhën angleze kësaj i thonë “bare life”, jetë pa mbrojtje, pa status, pa zë. Njeriu i tillë zhvishet nga statusi i tij politik (të drejtat, ligji, shtetësia) dhe mbetet vetëm një trup biologjik. Sipas Claudia Card shkatërrimi i strukturave që i japin kuptim jetës së një njeriu shpie në vdekje sociale. Për fat të keq matrica e mendimit mbetet e njëjtë, sterotipike, në vend që të hapemi, mbyllemi si shoqëri.

Opsioni la nuda vita në shekullin XXI është një gjë absurde, nuk kalon. Vetëm pranimi i tjetrit me të gjitha veçoritë është opsion i së ardhmes, përndryshe historia përsëritet; qeniet racionale nuk lejojnë që kjo t’ju ndodhë. Shqiptarët dhe maqedonasit janë fat i njëri tjetrit; të gjitha rrugët sërish shpien në afërsi hapësinore dhe jetike. Etnokracia nuk është zgjidhje, është baltnajë politike-sociale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.