Me platformën “Atmolize” të bazuar në IA, kompanitë energjetike do të mund të rrisin efikasitetin e sistemeve solare
„Atmolize“ është platformë e re e bazuar në inteligjencë artificiale, e cila do t’u ndihmojë kompanive të sektorit energjetik të marrin vendime të bazuara në të dhëna, duke kursyer kohë dhe burime, transmeton Portalb.mk.
Platforma ka aftësinë të monitorojë dhe mbledhë të dhëna në kohë reale nga burime të ndryshme, si sistemet solare, matësit inteligjentë, konsumi i energjisë dhe modelet tarifore.
Ajo mund të bëjë parashikime dhe të ndihmojë në zbulimin e hershëm të anomalive në funksionimin e sistemeve solare, duke parandaluar gabime ose dëme.
Gjithashtu, platforma analizon parashikimet e motit dhe u rekomandon sistemeve solare se kur janë kushtet më të favorshme për funksionim dhe prodhim të energjisë.
“Ndikimi i ndryshimeve klimatike ndihet në punën e kompanive, ndërsa përveç industrisë energjetike, Atmolize mund të përmirësojë punën edhe në bujqësi dhe ndërtimtari. Me këtë sistem digjitalizohet funksionimi i sistemeve të energjisë diellore, ndërsa të dhënat komplekse klimatike dhe energjetike shndërrohen në vendime”, thotë Simeon Markoski, drejtor ekzekutiv i kompanisë „Silajz“.
Ai thekson se platforma ofron monitorim dhe zbulim të anomalive, automatizim të raporteve, rekomandime përmes inteligjencës artificiale, analizë të kostove, parashikime energjetike dhe funksione të tjera. Kompanitë përfitojnë monitorim të drejtpërdrejtë, të dhëna në kohë reale, parashikime, planifikim dhe rekomandime për të marrë vendime më të mira.
Nikolla Angelovski prezantoi platformën’ Finding’, e bazuar në inteligjencë artificiale, e cila lehtëson gjetjen e mundësive për financimin e projekteve nga fondet evropiane.
“Nëpërmjet platformës, të gjitha thirrjet për financim unifikohen në një vend”, tha Angellovski.
Markoski ishte gjithashtu pjesë e ekipit që krijoi zgjidhjen fituese „Gjej Farmaci“ në hakatonin për të dhëna të hapura, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare.