Me mire për Tetovën: Kasami do ta privatizojë ndermarrjen e parkingjeve
Agron Arifi nga Më Mirë për Tetovën, ka akuzuar pushtetin lokal të udhëhequr nga Bilall Kasami se po tenton të miratojë në heshtje vendime që, sipas tij, dëmtojnë interesin publik të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Në një konferencë për media, Arifi tha se derisa debati publik është përqendruar te çështja e emrave të rrugëve, shumica në Këshillin Komunal po përgatitet të sjellë vendime të rëndësishme për menaxhimin e hapësirave publike.
“Në zhurmën e BDI-së për emrat e rrugëve, pushteti lokal në krye me Bilall Kasamin dhe shumica në Këshill po tentojnë të kontrabandojnë në heshtje disa vendime të rëndësishme për qytetin e Tetovës”, deklaroi Arifi.
Sipas tij, në seancën e ardhshme të Këshillit Komunal synohet që rrugët dhe trotuaret në lagje të caktuara të Tetovës t’u jepen kompanive private përmes koncesionit ose partneritetit publiko-privat, duke krijuar, siç tha ai, konkurrencë të padrejtë ndaj Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”.
Arifi kërkoi përgjigje nga kryetari Kasami se pse kjo ndërmarrje publike po përballet me humbje dhe ngriti dyshime se situata mund të përdoret për të justifikuar përfshirjen e sektorit privat.
“Kasami duhet të përgjigjet pse NP Parkingu i Qytetit del me humbje. A është e qëllimshme kjo për të arsyetuar ndonjë biznes me privatin, gjë që do ta dërgonte ndërmarrjen në humnerë, njëjtë si NPK Tetova, e cila aktualisht i ka punëtorët me katër paga minus”, tha Arifi.
Ai u bëri thirrje këshilltarëve të shumicës VLEN-VMRO që të heqin dorë nga, siç e quajti ai, “shitja e pronës publike të qytetit”, duke paralajmëruar se do të mbahen mend për këto vendime.
Në fund, Arifi i drejtoi një pyetje kryetarit të Tetovës lidhur me menaxhimin e pronës publike.
“A është haram apo hallall shitja e pasurisë publike që konsiderohet vakëf për qytetarët?”, tha ai, duke shtuar se, sipas tij, “asnjë asfalt nuk mund ta mbulojë turpin e tregtisë me pasurinë publike dhe goditjen e xhepit të qytetarëve”.
Kujtojmë se vitin e kaluar opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa.
Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi.
Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.mPra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.
Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.