“Mbrëmjet Operistike të Majit” në Shkup, sollën në skenë klasiken e operistike “Traviata”
Klasikja operistike “Traviata” e Xhuzepe Verdit, një kryevepër që magjeps me pasionin, dramaturgjinë dhe muzikën e saj të paharrueshme, u ngjit mbrëmë në skenën e Operës dhe Baletit Nacional, në kuadër të edicionit të 54-t të Festivalit “Mbrëmjet Operistike të Majit”. E frymëzuar nga romani “Zonja me kamelie”, kjo operë rrëfen një histori thellësisht njerëzore për dashurinë, sakrificën dhe përplasjen me normat shoqërore, shkruan Portalb.mk.
Dirigjent ishte mysafiri nga Hungaria, Gergel Keselak, ndërsa regjia ishte e regjisores së njohur gjermane, Verena Shtojber, duke krijuar një produksion të fuqishëm, fokusi kryesor i të cilit është dinamika skenike dhe finesa vizuale. Skenografe dhe kostumografe është Sofia Shnajder (Gjermani), koreografe: Sasha Evtimova, koncert-mjeshtër është Jane Bakevski, ndërsa mjeshtre e korit Jasmina Gjorgeska.

Në rolin e Violeta Valerit u paraqit Tea Purceladze (Gjeorgji), në rolin e Alfred Zhermonit – Alesandro Fantoni (Itali), Zhorzh Zhermon-Badral Çulunbatar (Mongoli), ndërsa rolet tjera i interpretuan: Marika Popoviq, Aleksandra Lazarovska Vasilevski, Kristijan Antovski, Dragan Ampov, Nikola Stojçevski, Neven Siljanovski, Igor Ginovski, Tihomir Jakimovski, së bashku me korin, orkestrën dhe ansamblin e baletit të Operës dhe Baletit Nacional.

Opera “Traviata” është një nga veprat më të rëndësishme dhe më të interpretuara në literaturën botërore operistike, e shkruar nga Xhuzepe Verdi në vitin 1853 dhe e shfaqur për herë të parë po atë vit në teatrin “La Fenice” në Venecia. E krijuar sipas romanit “Zonja me kamelie” të Aleksandër Dymasë – birit, opera edhe sot konsiderohet si një nga veprat kyçe të repertorit, e cila me linjën e saj të fuqishme dramatike dhe thellësinë emocionale mbetet aktuale në skenat anembanë botës dhe në vendin tonë.
