Mbi dhjetë mijë pasagjerë të prekur nga anulimi i fluturimeve në Britani
Më shumë se 10.000 pasagjerë të linjave ajrore u përballën me anulime fluturimesh në dy aeroportet më të ngarkuara të Britanisë së Madhe, për shkak të motit të keq dhe kufizimeve të trafikut ajror, raporton Radio Evropa e Lirë.
British Airways anuloi 51 fluturime që do të operonin në ose nga Heathrow të dielën dhe 31 të tjera të hënën.
Fluturimet i anuluan disa kompani edhe në aeroportin Gatwick të Londrës.
Më e prekura ishte EasyJet, me 34 fluturime të anuluara të dielën dhe të paktën nëntë të hënën.
Pasagjerët e prekur nuk kanë gjasa të kenë kompensim, pasi anulimi konsiderohet të jetë jashtë kontrollit të linjave ajrore.
Por, ata kanë të drejtë për ndihmë, e cila mund të përfshijë pije freskuese, akomodim gjatë natës dhe rezervime me transportues alternativë.
“Për shkak të kufizimeve të kontrollit të trafikut ajror dhe motit të pafavorshëm, sikurse linjat e tjera ajrore, edhe ne kemi bërë disa ndryshime në orarin tonë”, tha një zëdhënës i British Airways.
Dy avionë të kësaj kompanie u nxorën jashtë shërbimit të dielën, pasi u goditën nga rrufeja.