Mbi cektësinë e shijes estetike

Në fillim të viteve të 90-ta botova disa shkrime lidhur me cektësinë e shijes estetike, e cila u përskeq nga vërshimat e krijimtarisë mediokre në të gjitha fushat e jetës kulturore. Disa prej tyre mbetën të pabotuara, por, pavarësisht kësaj, ruajtën freskinë edhe pas 30 vitesh, sepse, sado që kanë ndryshuar gjërat për të mirë, problemet e së shkuarës janë aty dhe vazhdojnë të pengojnë rritën tonë. I këtillë më duket shkrimi i mëposhtëm, shkruar para 32 vitesh, kur mund ta konsideroja veten akoma djalë të ri.

*

Është thënë shumë herë se të menduarit e flashkët krijues kushtëzon aneminë e të menduarit kritik. Mjerisht, viteve të fundit, kritika letrare (fjala është për kritikën publi­cistike dhe për shkrimet me formë parathëniesh e pas­thë­niesh të “veprave letrare”) është infektuar keq nga ple­hu­rinat estetike. Sot në modë janë kritikët minorë, ata që bëjnë qejfe për interese të vogla e të mëdha; ata që sigorojnë respektin e përjetshëm të autorëve, veprat e të cilëve i “kritikojnë”; ata të cilët edhe sipas Tomas Eliotit: Janë të zënë me punë paqartësie, duke fshehur çështjet, duke përkë­dhelur, duke u futur për së ngushti, duke kaluar pa i vënë veshin ndonjë çështjeje, duke trilluar qetësues të kënaq­shëm…

Kudo në botë kritiku është ndërmjetës që lehtëson komunikimin me një vepër arti, një ndihmës dhe një garant i vlerës së saj. Vetëm tek ne ngjet e kundërta. Këtu janë të rrallë ata  që e ndjejnë përgjegjësinë e fjalës publike dhe që nuk flasin e nuk shkruajnë kuturu në favor të letrarëve telallë, të cilët dijnë t‘i materializojnë lëvdimet e “kompetentëve”, reçensionet e të cilëve ua mundësojnë shpërndarjen e kollajshme të kopallave estetike.

Në situata e rrethana kur paqartësitë dhe shqetësimet për të nesërmen kanë përmasat e një oqeani, kritiku minor, ngjashëm me akrabanë e tij poet, nuk do ta dijë fare atë që thoshte Vinkelmani, sipas të cilit: E bukura është qëllimi i fundit më i lartë dhe pika qendrore e artit.

“Studiuesite kësaj kategorie nuk pranojnë të kritikohet puna e tyre dhe çdo lëvizje në këtë drejtim e cilësojnë si përbaltje të inteligjencisë krijuese. Marrjen me veprën e tyre ata e shpallin qufër dhe kësisoj, një segment aq të rëndësishëm siç është letërsia, me të cilën krenohen etnitë e qytetëruara, arrijnë ta bajatizojnë dhe ta shndërrojnë në hiç. Kjo modë groteske që luhet mbi kurrizin e letërsisë, kur jemi në pyetje ne shqiptarët e “Oazës së paqes”, mund të zgjasë në pakufi, gjersa hatri do të vazhdojë të jetë më i rëndë se topuzi.

Kritikët dhe poetët mediokër, që aq mjeshtërisht i mbajnë ison njëri-tjetrit, mund të mos jenë të ndërgjegjshëm për dëmet që i shkaktojnë shijes estetike. Ata si model krahasimi kanë vetveten dhe matin peshën e tyre në kranden e hollë, ku matet harabeli i fabulës. Ata i besojnë “artit” të miqve të tyre poetë dhe i ndihmojnë ata me thonj e me bryla, duke shpresuar se do t’ua sigurojë pavdekësinë. Ata janë zemërgjerë, telepatë dhe alkimistë të mirë, ngase shndërrojnë në art të madh çdo shkarravitje.

Mjerisht, ka dhe lexues shijehollë që këto marifetllëqe në kurriz të artit i marrin si gjëra të përkohshme dhe të parëndësishme. Të tillët harrojnë se hatri i rremë i shndërron në topitës dhe varmihës të së bukurës.

Për shkrimtarin, thekson  B. Mema, është e domosdoshme një kritikë miqësore, jo servile, ndryshe ai asnjëherë s’ka për t’i njohur të metat e tij, e kjo të çon në narcisoizëm… Nderi dhe guximi janë virtytet që sot po sulmohen më tepër nga buja dhe reklamat senzacionale. Për një përfitim të çastit ka kritikë që nënshtrohen, sepse biznesi i artit është bërë nga më të levërdishmit…

Nuk ka dyshim se kriza e thellë dhe e gjithanshme e kohës sonë ua ngushtoi mundësitë e marrjes me këtë zeje atyre pak emrave të mirëfilltë të kritikës letrare, që kanë horizonte me korniza më të gjera e që njohin me themel metodat e analizës së veprës artistike. Në mungesë të veprave të tyre, publikut lexues i duhet të kënaqet me kritikën mediokre, e cila gjatë “analizës” përdor metodën e numërimit të vjer­shave dhe cikleve të pseudolibrit.

Edhe pse kritika letrare shqiptare ka një traditë rela­tivisht të pasur, ajo sot qëndron shumë pas mendimit kritik evropian. Ajo është pasi­vizuar tej mase, aq sa mund të thuhet se fillet e të ’90-tave janë vitet e heshtjes së saj mortore. Ajo ka humbur betejën me “kritikat” e sorrave letrare, me kritikën e shtangët të interesimit të ngushtë që shërbehet me konstatimet bajate të kohërave të shkuara.

Kritika minore është kritikë e njëtrajtshme bërjeqejfesh. Ajo është e ngjashme me këngët e dasmës të cilat këndohen njësoj për të gjitha nuset dhe dhëndorët, pavarësisht se virtytet dhe bukuria e tyre fizike nuk janë të njëjta. Për të është e huaj përqasja e të resë me të vjetrën, dallimi i origjinales nga klisheja. Ajo i kushton vëmendje temës, po jo dhe mënyrës si shtjellohet ajo. Ndodh shpesh që të mbrohet këmbëngultas “arti” i një shkrimi, vetëm pse autori është kapur për një “teme të madhe”, duke harruar se nuk mund të quhet vepër artistike çdo krijim, çdo ode, çdo afish i rëndomtë politik…

Gjykimet e kritikut minor janë në sipërore dhe si të tilla edhe të pandershme. Për këtë fenomen ka shkruar edhe teoricieni i njohur amerikan Northrop Fraj: Ende është e mundur për një kritikë që të përcaktojë si art autentik çdogjë që i pëlqen atij dhe të vazhdojë të pohojë se ajo që nuk i pëlqen nuk është art autetntik.

Uniformat e tipit: autori, ky bir besnik i popullit krenar, me një të kaluar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme…, dorën në zemër, s’i duron më koha, sepse shkaktojnë krupë kronike, aq më tepër kur kjo gjuhë ka kaluar në pronësi të muhabeteve që zhvillohen nëpër çajtoret ku kërcellon dajani.

Aq sa mund të entuziazmohet lexuesi kur i bie ta shijojë kritikën tonë publicistike në zanafillën e saj, po aq mund të dëshpërohet pasi të lexojë disa shkrime të sotme kritike. Dallimi në shkëlqim është i madh. Për këtë binden lehtë të gjithë ata që kritikën e konceptojnë si veprimtari letrare kreative, si lloj të veçantë të krijimtarisë letrare, siç është kritika e Konicës, Nolit, Lasgushit, Kutelit, Koliqit, Fishtës, Çabejt…, e cila, në vigjilje të shekullit XXI, domosdo duhet tejkaluar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.