Mbetet aktive edhe një nismë kundër gjuhës shqipe në Gykatën Kushtetuese

Mbetet në fuqi obligimi për prodhuesit dhe tregtarët privatë që deklaratat apo etiketat e produkteve të tyre së bashku me dokumentacionin shoqërues, përveç në maqedonisht, t’i kenë edhe në shqip. Gjykata Kushtetuese nuk siguroi shumicë votash për ta rrëzuar ose mbështetur iniciativën e avokatit Valentin Pepelugoskit, e cila mbi dy vite qëndron në sirtarët e gjykatës. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar me lëndën, do të vendoset sërish në ndonjërën prej seancave të radhës, pasi dje votimi ishte baras, shkruan Alsat-M.

Katër gjyqtarë nuk u pajtuan që të hiqen pjesë nga 6 nenet e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, me të cilat rregullohet përdorimi i shqipes në deklaratat e produkteve, e të cilat janë vendosur si rrjedhojë e harmonizimit me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nga ana tjetër, janë katër gjyqtarët e tjerë që pajtohen me konstatimet e parashtruesit të iniciativës, i cili konteston këto nene, nën arsyetimin se janë në kundërshtim me Amendamentin 5 të Kushtetutës, i cili e rregullon çështjen e përdorimit të gjuhës së qytetarëve që flasin së paku 20% e qytetarëve. Sipas tyre, përdorimi i shqipes, duhet të jetë vetëm në raport me shtetin, por jo edhe personave privat.

“Ky është obligim i shtetit dhe institucioneve, por jo edhe i personave privat. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i drejtuar për rregullimin e marrëdhënies së gjuhës mes njësive shtetërore dhe personave juridikë me autorizime publike të interesit publik dhe nuk e përfshin mënyrën e komunikimit mes personave privat si kufizim i lirisë së tregut dhe sipërmarrjes”, thonë nga Iniciativa e Valentin Pepelugoskit në Gjykatën Kushtetuese.

Ndryshe, në sirtaret e kushtetueses pa epilog mbetet edhe lënda për gjuhën shqipe.

Kujtojmë se, edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN. 

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. 

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.