Martesë e hershme dhe ndarje në moshë të re: Historia e 20 vjeçares nga Shkupi në vrullin e rritjes së divorceve te të rinjtë (Infografik)

Martesa e hershme i ndryshoi jetën një 20-vjeçares M.Sadriu nga Shkupi, e cila hoqi dorë nga studimet për dashurinë, por përfundoi e vetmuar, e pashpresë dhe e divorcuar pas dy vitesh. Në rrëfimin e saj për Portalb.mk ajo tregon pasojat e rënda të vendimeve të parakohshme, ndërsa sociologu Sadik Emroja paralajmëroi për mungesë pjekurie emocionale mes të rinjve që hyjnë në martesë. Statistikat flasin se grupmosha 20-24 vjeç kryeson listën e divorceve në Maqedoninë e Veriut për vitin 2024.

Dy të rinj nga Shkupi ishin vetëm 20 vjeç kur vendosën të martoheshin. Të dashuruar që në bankat e gjimnazit, ata besonin se ndjenjat ishin të mjaftueshme për të ndërtuar një jetë së bashku. Megjithatë, pas martesës realiteti ishte krejt ndryshe për ata.

20 vjeçarja M.Sadriu për Portalb.mk rrëfeu rastin e saj.

“Edhe pse ëndrra ime ishte gjithmonë të studioj dhe të kem një profesion në të ardhmen, por fatmirësisht apo fatkeqësisht u ballafaqova me martesë në moshë të re, edhe pse vendimi ishte i imi. Fillimisht gjithçka dukej perfekte. Jetonim me prindërit e tij dhe më vonë nënës së tij fillova t’i ndihmoj në punët e shtëpisë. Ai punonte me orë të gjata dhe shpesh vinte i lodhur dhe nervoz. Unë u ndjehesha e vetmuar dhe e papërgatitur për përgjegjësinë e martesës”, u shpreh M.Sadriu.

Madje, ajo kishte hequr dorë edhe nga studimet.

“Me kalimin e kohës u bëra pishman se pse nuk i vazhdova studimet, dhe të plotësoja ëndrrën time për tu bë mjeke, dhe kur i shikoja nëpër rrjete sociale duke e shijuar jetën studentore, unë isha e detyruar të merresha me punët e shtëpisë në moshë kaq të re”, tha ajo.

“Rrjetet sociale sollën distancë dhe xhelozi në martesë”

“Unë fillova të kaloj më shumë kohë në Instagram dhe TikTok, dhe një ndër problemet më të mëdha që ne kishim ishin rrjetet sociale, dhe gjithçka filloi kur unë vendosa të postoja video në TikTok dhe ndaja “çdo moment” me ndjekësit e mi që dita ditës po rriteshin, fillova të ndjehesha e lumtur. Edhe pse atij nuk i pëlqente, sepse ndjehej i ekspozuar, i vëzhguar dhe pa kontroll mbi imazhin e jetës sonë private. Në anën tjetër, ai filloi të komunikojë më shpesh me shoqe ose vajza që njihte dikur, gjë që krijonte dyshime dhe xhelozi tek unë”, tha M.Sadriu.

Ajo theksoi se rrjetet sociale ushqyen një mosbesim të vazhdueshëm, ku gjithçka interpretohej gabim, çdo “like” shkaktonte debat.

Pas dy viteve martesë vendosëm që të ndahemi, sepse komunikimi mes nesh ishte ftohur. Fjalët e ëmbla ishin zëvendësuar në heshtje dhe kritika, dhe më nuk arritëm të gjenim një gjuhë të përbashkët. Biseduam dhe të dy morëm vendimin për t’i ndarë rrugët, sepse me kohë e vërejtëm se si dy të rinj kishim shpejtuar me martesën dhe nuk ishim të gatshëm për të vazhduar një jetë së bashku”, tha ajo.

Ajo theksoi se të martoheshe në një moshë kaq të re, pa e njohur veten dhe pa përmbushur ëndrrat personale, ishte një barrë e rëndë.

Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se numri i përgjithshëm i divorceve nga viti 2020 deri në 2024 është në rritje.

Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk
Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk

Ndërsa numri më i madh i divorceve te grup-mosha 20-24 vjeç u regjistrua në vitin 2024. Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut u regjistruan gjithsej 1991 divorce.

Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk
Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk

Vështirësitë ekonomike papunësia ose të ardhurat e pamjaftueshme mund të krijojnë tensione të mëdha në çift dhe rrjetet sociale janë bërë burim xhelozie, dhe mosbesimi. Kështu tha për Portalb.mk sociologu Sadik Emroja.

Sadik Emroja. Foto nga arkivi i tij.
Sadik Emroja. Foto nga arkivi i tij.

“Të rinjtë sot përballen me sfida të ndryshme që mund t’i çojnë drejt divorci. Arsyet më të zakonshme që janë identifikuar nga hulumtimet sociologjike janë: mungesa e pjekurisë emocionale, të rinjtë shpesh hyjnë në martesë pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për përgjegjësitë që ajo sjell, mungesa e aftësive për të menaxhuar konfliktet dhe për të komunikuar në mënyrë të shëndetshme është një faktor kyç”, tha Emroja.

Ai theksoi se parandalimi i divorcit nuk është vetëm përgjegjësi e çifteve, por edhe e shoqërisë dhe institucioneve që ndikojnë në jetën e tyre. Emroja kërkon nga shoqëria dhe institucionet publike që të ofrojnë këshillim falas për çiftet e reja para dhe pas martesës, dhe të subvencionojnë programe për ndërgjegjësim mbi martesën dhe përgjegjësitë që ajo sjell. Po ashtu, të krijojnë qendra komunikative ku çiftet mund të marrin ndihmë psikologjike, sociologjike dhe ligjore në mënyrë diskrete.

Ndryshe, më 4 qershor 2025, në Maqedoninë e Veriut u bë e ditur se gjatë vitit të kaluar u regjistrua rritje e numrit të divorceve, ndërkohë numri i martesave shënoi ulje në krahasim me vitin paraprak.