Marrëveshja 90 miliardë dollarëshe, Ukraina dorëzoi kërkesat për armë te Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se vendi i tij i ka dorëzuar të gjitha kërkesat për transferime armësh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Kjo është pjesë e një marrëveshjeje të gjerë mes dy vendeve, me vlerë prej 90 miliardë dollarësh, transmeton Euro News Albania.

“Në lidhje me atë që Ukraina kërkon nga SHBA-të – ne i kemi dorëzuar të gjitha këto presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me detaje dhe ilustrime të qarta të asaj që nevojitet. E gjithë kjo është parashikuar në marrëveshjen tonë të madhe prej 90 miliardë dollarësh”, deklaroi Zelenskyy gjatë një konference për shtyp.

Ai gjithashtu shtoi se Ukraina është e hapur për të lidhur marrëveshje të tjera të veçanta, që përfshijnë lloje të ndryshme të armëve.

“Ne jemi të gatshëm për marrëveshje të veçanta për lloje të ndryshme armësh, duke përfshirë edhe ato me rreze të gjatë veprimi”, theksoi presidenti ukrainas.