“Mantra” e Jeton Kelmendit: poezi e fortë, mendim i thellë, zë i guximshëm
Poeti, akademiku dhe përkthyesi i njohur ndërkombëtarisht Jeton Kelmendi ka sjellë para lexuesit librin e tij më të ri poetik, “Mantra”, një botim që shënon një kapitull të ri në krijimtarinë e tij të pasur dhe të vlerësuar. I publikuar së fundmi nga shtëpia botuese IWA Bogdani, me seli në Bruksel dhe Prishtinë, ky vëllim vjen si një dëshmi e vazhdimësisë së zërit poetik të Kelmendit, duke e thelluar edhe më shumë dimensionin e tij filozofik dhe meditimor, shkruan Portalb.mk.

Autori Jeton Kelmendi për Portalb.mk tha se liria që vjen nga poezia nuk është ikje nga e vërteta, por përballje me të.
“Poezia nuk të liron duke të zbrazur, por duke të zhveshur nga pamundësitë dhe duke te plotësuar me kuptimin për gjërat. Pas botimit të librit tim të ri Mantra nuk jam më i lehtë, por jam më i vetëdijshëm. Pra, Mantra është titulli i librit dhe ka kuptimin e çlirimit. Fjalë kjo nga sanskritishtja. Në ketë kontekst mendoj se liria që vjen nga poezia nuk është ikje nga e vërteta, por përballje me të. Kur e shkruan atë që zakonisht heshtet, mendja çlirohet, por ndërgjegjja bëhet më e thellë. Dhe kjo peshë nuk është barrë, por përgjegjësi mendoj unë. Në këtë kuptim, poezia nuk më ka shpëtuar nga e vërteta assesi, mirëpo më ka detyruar ta mbaj atë pa iluzione, thjeshtë një të vërtetë të zhveshur nga dogmat dhe refleksionet tjera. Pas botimit të këtij libri natyrisht se jam më i lirë, por kjo liri nuk është rehati, është qartësi që nuk të lejon të kthesh kokën mënjanë. E meqë ra fjala për lirinë, po ju them se jam edhe më i lirë për ta pranuar të vërtetën siç është, edhe nëse nuk më pëlqen” tha Kelmendi.
Ai shtoi se sot poezia është akt mosbindjeje, një dyshim me seri.
“Po, koha nuk ecën zakonshëm sikur mendohet nga dikush që ecjen e sheh nga një dimension prej një anë, por ajo rrotullohet. Njerëzimi i përsërit gabimet e veta me teknologji më të avancuar dhe me gjuhë më elegante, por me të njëjtën verbëri morale. Pra, ne jemi pjesë e shoqërisë njerëzore dhe pashmangshëm edhe e gabimeve njerëzore, sikur edhe të mirave, prandaj luftërat, frika, etja për pushtet, mohimi i tjetrit po e ndryshon kostumin njerëzor, jo skenari. Poezia, në këtë rreth vicioz, nuk është zgjidhje teknike, por është thirrje. Jo thirrje politike, por ontologjike. Ajo zgjon kujtesën e njeriut përpara se ta zgjojë arsyen. Ose, së paku kështu do të duhej të ishte. Nëse ka një shans për të thyer ritualin e gabimit, ai vjen nga vetëdija dhe poezia është një nga format e fundit ku kjo vetëdije flet pa u censuruar. E tash sa shumë janë ata dhe ato që e lexojnë poezinë, kjo mbase nuk do koment. Sot poezia është akt mosbindjeje, një dyshim me seri. Të shkruash poezi në një botë që kërkon shpejtësi, konsum dhe sipërfaqe është një refuzim i drejtpërdrejtë i logjikës së tregut. Fundja, punë e madhe ku ka shkuar bota… Poezia kërkon kohë, heshtje dhe thellësi, kjo është definicioni im, ku gjërat që sistemi i sotëm i konsideron jofitimprurëse. Në këtë kuptim, Mantra është revoltë, por jo me grusht të ngritur, siç mund ta mendoj dikush, thjeshtë, është revoltë me frymë. Është një kundër-rrymë ndaj deformimit të shpirtit, ndaj identitetit të shndërruar në avatar dhe njeriut të reduktuar në profil. Poezia nuk sulmon botën, por ajo refuzon të bëhet siç është bërë jeta pasmoderne” tha Kelmendi.

Kelmendi shtoi se atdheu në librin Mantra është mungesë aktive, ose një prani që e ndjek, e formëson dhe e mban zgjuar.
“Për mua atdheu nuk është gjeografi, por është plagë e hapur që ecën me mua dhe njerëzit e mi. Mantra është poezi për lirinë, por një liri që nuk e mohon lidhjen me rrënjët, me vlerat dhe sakrificat. Në mendjen time është liri e vetëdijshme se njeriu nuk çlirohet duke harruar rrënjët dhe të vërtetat, edhe pse po jetojmë në kohën e mashtrimeve, por duke i mbajtur ato edhe kur dhembin, sikur edhe kur kanë shije të pashijshme. Mallkimi nuk është të jesh i lidhur me një vend, assesi, por mallkimi është të mos kesh më asgjë që të dhemb. Në këtë kuptim, atdheu im në librin Mantra është mungesë aktive, ose një prani që të ndjek, të formëson dhe të mban zgjuar. Poezia ime nuk kërkon të ikë prej atdheut, ajo përpiqet ta kuptojë secilin, madje edhe ata që në listën e dëshirat, atdheu radhitet diku ka fundi. Po, poezitë I kam shkruar në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme të Botës. Unë lëviz shumë dhe kudo që shkoj shkruaj, sepse e ndiej dhe për ketë ndihem poet nëse kam arritur së paku ta quaj veten poet”, tha Kelmendi.