Macroni kërcënoi Kosovën me vizat: Fjala e dhënë s’po mbahet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga Tirana ka kërcënuar Kosovën se do t’i ndalohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen “po që se nuk mbahet fjala e dhënë”, transmeton Koha.net.

Në një konferencë për media të martën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Macroni ka thënë se pret përgjegjësi nga Kosova dhe Serbia.

“E them me shumë qartësi, kemi bërë një gjest mirëbesimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, kjo (regjimi i vizave v.j.) është pezulluar për shkak të fjalës së dhënë. E fjala e dhënë sot nuk po mbahet. Po e pres një angazhim serioz të të dyja autoriteteve për të lëvizur përpara në javët e ardhshme. Madje është kusht kyç për paqe edhe në rajon”, ka thënë ai, transmeton “LeFigaro”.

Macroni ka thënë se pret nga Kosova e Serbia që t’i riorganizojnë zgjedhjet në veri e të ketë pjesëmarrje të plotë të serbëve në to, dhe më pas të njihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ka thënë se pret përgjegjësi edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se si MPJ “nuk kanë njoftim zyrtar qoftë për vendim apo inicim të pezullimit të vizave për Kosovën nga ana e Francës”. Ai ka deklaruar për KOHËN se Kosova është në komunikim me autoritetet në Paris dhe Ambasadën e Francës në Kosovë për ta sqaruar këtë deklaratë. “Franca e ka mbështetur këtë proces. Edhe në javën kur ka filluar fushata për vetëdijesim, i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Francës”, ka thënë tutje Ahmeti.

KOHA i ka dërguar pyetje Ambasadës së Francës në Kosovë. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.