Kryeministrja lituaneze: Ka ardhur koha të marrim vendime të guximshme për mbrojtje dhe parandalim

Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte tha se Rusia është kërcënim afatgjatë dhe se ka ardhur koha për të marrë vendime të guximshme, transmeton Anadolu.

Në një postim nga llogaria e saj në Twitter, Simonyte njoftoi se ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ajo theksoi se me Stoltenberg biseduan për Samitin e NATO-s që do mbahet në Vilnius. Simonyte tha se vendimet lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në të ardhmen në NATO nuk duhet ta kënaqin Rusinë.

Pasi bëri të ditur se Rusia është kërcënim afatgjatë, Simonyte potencoi: “Ka ardhur koha për të marrë vendime të guximshme për mbrojtje dhe parandalim që do të forcojnë NATO-n si mburojën tonë kolektive në një botë më të rrezikshme”.