“Llaskarca”, nuk i pranojmë sulmet se ekspertiza jonë është e fokusuar për ta fajësuar shoferin, tha eksperti i komunikacionit Postollov

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për aksidentin e autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar. Seanca ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve të avokatit të shoferit të autobusit, ndaj ekspertit i cili ka qenë pjesë e ekipit që e ka përgatitur superekspertizën makinerike. Eksperti Postollov theksoi se ekspertizën e kanë bërë në bazë të provave dhe jo siç thotë avokati i shoferit se fokusi i tyre ka qenë që ta bëjnë fajtor vetëm shoferin, raporton Portalb.mk.

Sa persona kane humbur jetën në aksidentin tragjik, ishte pyetja e parë e avokatit të shoferit të autobusit Lupço Micevski, për ekspertin i cili është pjesë e ekipit që e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, Lupço Postollov.

“16 persona”, u përgjigj Postollov, për çka avokati Micevski vijoi me pyetjen e radhës, se në ekspertizë sa është numri i viktimave që është shkruar.

“Duhet të shoh, më duket se në ekspertizë është shkruar se 15 persona kanë humbur jetën”, tha Postollov.

Sa ka qenë efikasiteti i frenave të këtij autobusi sipas rezultateve të kontrollit teknik të 2 korrikut të vitit 2018-të, duke e pasur parasysh masën e përgjegjshme të këtij autobusi, sipas librezës së autobusit, vijoi me pyetjet Micevski ndaj ekspertit Apostollov.

Ndaj kësaj pyetje reagoi Delo Kadiev, avokati i pronarit të Durmo Turs, duke theksuar se duhet që t’i tregohet ekspertit se nëse vlerëson se pyetjet janë të profesionit makinerik të mos përgjigjet.

Avokati dhe prokurori, reaguan ndaj Kadievit, duke theksuar se me këtë i tregojnë ekspertit në mënyrë të drejtpërdrejtë se si të përgjigjet në këtë pyetje.

Eksperti theksoi se megjithatë kontrolli teknik (i 2 korrikut të vitit 2018-të) nuk ka relevancë.

“Efikasiteti i frenave nuk është i rëndësishëm edhe pse ka qenë rreth 36%, pasi kjo ka qenë në atë kohe dhe nuk do te thotë se ka qenë ashtu edhe gjatë aksidentit”, theksoi Postollov.

A e dini se si është testuar autobusi gjatë kontrollit teknik dhe në bazë të asaj a keni mundur të bëni ekspertizë, vijoi me pyetjet Micevski.

“Mendimi jonë dhe ekspertiza është bërë në bazë të të dhënave të disponueshme. Në ato materiale nuk kishim të dhënë relevante nëpërmjet të cilës do të mundej të vlerësohet efikasiteti i frenimit. Efikasiteti për atë që thoni ju, ka qenë për atë periudhë kur ka ndodhur aksidenti, dhe mund të jetë më mirë apo më keq (gjatë kohës kur është bërë kontrolli teknik). Ne kemi kryer ekspertizë në bazë të asaj që na kanë dhënë si provë materiale”, tha Postollov.

Ne lëndë a keni hasur ndonjë provë të shkruar se është bërë ndonjë rregullim i frenave prej 02.07.2018 (kur është bërë kontrolli parafundit teknik par aksidentit) deri në ditën e aksidentit.

“Ka një fletore, diçka është shkruar, por theksoj se nuk ka obligim ligjor (kompania) që të jepen përshkrime se çfarë është bërë në automjet”, tha Postollov, pas çka reagoi avokati duke u ankuar te eksperti nuk po i përgjigjet në pyetjen e tij, pasi nuk pyet a duhet apo jo, por a ka parë ndonjë provë materiale..

“Duke e pasur parasysh se kolegët e profesionit makinerik detajisht janë marrë me këtë çështje dhe ne i kemi marrë prej tyre. Edhe nëse e kemi parë ose shqyrtuar, nuk mund të kujtohem se çfarë është bërë nga tërë ai material. Për ne ishin me rëndësi raportet e inxhinierëve makinerik, të mos i numëroj një nga një”, shtoi Postollov.

Para përgatitjes së ekspertizës, a e keni lexuar superekspertizën makinerike, ishte pyetja e radhës e Micevskit.

“Ne çdo ditë kemi punuar dhe në gjysmë të punës vetëm se i kemi ditur informatat edhe ne prej tyre, edhe ata prej nesh. Kështu që ne kur e kemi punuar superekspertizën tonë ishte në pajtueshmëri me inxhinerët makinerik.

Sipas të dhënave të fletores së verdhë e fundit ka qenë 24.03.2018, sa kohë është kjo deri në kontrollin teknik.

Avokati Lavdrim Seferi, i cili është pjesë e ekipit të avokatëve të pronarit të “Durmo Turs”, tha se kjo çështje është për ekspertët e makinerisë. “Vazhdimisht po theksojmë dhe presim që të reagojë vetë eksperti kur nuk janë pyetjet për fushën e tij”, tha Seferi.

Në ndërkohë, avokati Micevski, i tha se ekspertit se ekspertiza dhe ekspertët po e drejtojnë fajin vetëm kah shoferi dhe këtu u shkaktua tension mes palëve.

Kam një ankesë, i tha eksperti Postollov gjykatëses, pas çka avokati Micevski i tha “edhe jurist tani do bëheni?”.

“Për ju jam edhe doktor shkence i drejtësisë”, iu drejtua eksperti avokatit Micevski, pas çka the se fokusi i tyre nuk ka qenë te shoferi.

“Nuk i pranojmë sulmet se tërë ekspertiza jonë është e fokusuar vetëm kah shoferi, pasi e njëjta është përgatitur sipas provave dhe deklaratave”, tha eksperti, duke shtuar se “ne ekspertizën duhet ta bëjmë që dikush duhet të jetë fajtor. Prej ku e keni atë arrogancë që unë jam kundër shoferit që kurrë nuk e kam takuar”.

Pas qetësimit të situatës nga gjykatësit, Micevski vazhdoi me pyetje. “A mund të tregoni zotëri Postollov, sipas jush, si ekspert i komunikacionit, a ka qenë e mundur që frenat të jenë më efikase (në kohën e aksidentit) sasa në vitin 2018 (kur janë bërë 2 kontrollet e fundit teknik), duke e pasur parasysh se nuk ka prova materiale se nuk janë rregulluar në këtë periudhë”, pyeti Micevski.

Ndaj kësaj, reagoi prokurori Darko Jakimovski me ankesë te gjykatësja duke theksuar “Jo se nuk ka provë materiale se diçka është rregulluar, përkundrazi ka provë materiale me vulë dhe nënshkrim nga udhëheqësi i “Durmo Turs” se përveç atyre kontrolleve teknike, nuk ka kontroll teknik dhe rregullime tjera”.

Avokatët e Durmos, demantuan pohimin e prokurorit duke theksuar se nuk është e saktë se nuk ka pasur kurrfarë rregullime, por nuk është mbajtur evidencë. Për çka, më pas edhe avokati Kadiev, tha se e ka gjetur dokumentin, tek i cili thirret prokurori dhe aty askund nuk shkruan se nuk ka pasur rregullime tjera pos kontrolleve teknike.

Sipas të gjitha provave që i keni pasur në dispozicion, a ka qenë e mundur të jenë frenat më efikase (në kohën e aksidentit) sesa në 2 korrikun (e vitit 20180të, kur është bërë kontrolli teknik), vazhdoi me pyetje Micevski.

E njëjta pyetje, u dha përgjigje për këtë, reagoi avokati i “Durmos”, Seferi. Megjithatë, gjykatësja lejoi që edhe njëherë të përgjigjet Postollov.

“Nëse nuk është intervenuar, nëse kemi provë të fuqishme materiale se nuk ka pasur kurrfarë intervenime, është normale se do të jetë me atë efikasitet ose më të dobët që është konstatuar në kontroll teknik, ndërkaq nëse është intervenuar mund të jetë sipas normave ligjore të kënaqshme, gjegjësisht t’i kënaq normat ligjore, ose të jetë me efikasitet më të lartë”, tha Postollov.

Sa duhet të kishte qenë efikasiteti që t’i plotësojë normat ligjore, pyeti avokati Micevski, për çka eksperti Postollov tha “45%”.

Ky autobus në këtë gjendje, siç ka qenë pas aksidentit, a ka qenë e mundur që me të vozitur të dërgohet në ndonjë stacion të kontrollit teknik dhe të kryhet kontroll teknik dhe t’i kontrollohet veçanërisht efikasiteti i frenave.

“Sipas rregullave, të gjithë automjetet dërgohen në kontroll teknik dhe kontrollorët janë kompetent të tregojnë se çfarë mundet ose jo të kontrollohet. Se a mundet a jo, do ta konstatonin kontrollorët e kontrollit teknik”, tha Postollov, duke shtuar se për shkak gjendjes së autobusit pas aksidentit, ai nuk do të ishte e mundur të vozitje, por është mundur të dërgohej me automjet për transport.

Sipas ekspertit Postollov, gjatë kontrollit do të mundej të bëhet kontrolli i sistemit të frenimit dhe të nxirreshin dhëna shumë të dobishme.

“A do të ishin ato të dhëna relevante”, e pyeti gjykatësja.

“Po do të tregonte, ata janë kompetentë dhe do të tregonin se çfarë mundet ose nuk mundet të kontrollohet”, tha Postollov.

Në seancën e kaluar, duke u përgjigjur në pyetje të Lupço Micevskit, avokat i shoferit të autobusit, eksperti Lupço Apostollov deklaroi se kontrolli teknik nuk është garanci se pas kontrollit, automjeti nuk mund të prishet dhe për këtë ka raste kur automjeti sapo ka dalë nga stacioni teknik është prishur. Ndaj deklaratës së ekspertit, reagoi gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, duke theksuar që nëse është ashtu, atëherë duhet të mos bëhet fare kontroll teknik.

Ndryshe, superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.