“Llaskarca”, ekspertët e komunikacionit me “Shkoda Rapid” 1.6 tonë, e kanë testuar lëvizjen e autobusit 19.5 tonë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për aksidentin e autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar. Prokurori Darko Jakimovski, ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve ndaj ekspertit i cili Lupoço Apostollov, i cili bashkë me Nevzat Zekir dhe Jakub Mamuti e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, raporton Portalb.mk.

Eksperti Apostollov ka vazhduar të insistojë në vlerësimet që ai bashkë me ekipin i ka shkruar në superekspertizë, gjegjësisht se shoferi ka pasur mundësi të frenojë, por nuk ka reaguar, qoftë me frenat e këmbës, dorës.

“Në lidhje me reagimin e shoferit për frenim, kemi thënë që s’ka pasur reagim nga ana e shoferit. Frenimi nuk mund të bëhet vetëm me këmbë, por edhe me duar dhe kthimin e timonit ne te djathte. Për të frenuar duhen 0.5 sekonda, ndërkaq nga gjurma e parë deri te goditja e parë në bankinën e parë kanë kaluar 1.6 sekonda që tregon se shoferi ka pasur mjaftueshëm kohë të reagojë”, tha Apostollov.

Eksperti insiston se shoferi ka lëvizur në mënyrë të drejtë, pa kthyer me timonin në të djathtë, ashtu sikur lakohet butë rruga.

“Në momentin kur ka nisur të lëvizë drejtë, ndërkaq trajektorja e rrugës ka shkuar në të djathtë, prej atij momenti ka filluar rreziku. Në atë moment ka mundur shoferi të reagojë duke e kthyer timonin në të djathtë”, shtoi Apostollov.

Por, prokurori insistoi se në vendin e ngjarjes janë evidentuar gjurmë, të cilat tregojnë se megjithatë autobusi ka frenuar, por Apostollov, vazhdoi me insistimin e tij se gjurma nuk është nga frenimi po nga lëvizja e autobusit.

Apostollov, sot në seancë tha se gjatë përgatitjes së ekspertizës ekipi i tij ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me një automjet “Shkoda Rapid” e ka testuar lëvizjen të cilën e ka bërë autobusi. Testimin, siç tha Apostollov, e kanë bërë pa asistencë policore për bllokimin e komunikacionit, gjegjësisht me komunikacion të lirë për lëvizje.

“Një veturë kemi qenë katër persona ndërkaq një kolege prej sediljeve të pasme e ka incizuar lëvizjen me telefon. Dhe në bazë të pamjeve satelitore [prej google earth], video incizimit me veturë dhe testimeve, konkluza jonë është që autobusi ka lëvizur në vijë të drejtë”, tha Apostollov.

Megjithatë, prokurori Darko Jakimovski tha se nuk mund të bëhen testime me një automjet i cili ka vetëm 1.5 tonë, për të stimuluar autobusin i cili ka pasur 19.5 tonë.

“Në pjesën e reagimit të shoferit a është njëjtë sikur lëvizja me Shkoda Rapid dhe ai i autobusit 19.5 tonë?”, e pyeti prokurori ekspertin.

“Po e njëjtë është vetëm se raporti i gjatësisë të autobusit është 1 me 3”, tha Apostollov.

“Nuk është e njëjtë pasi që autobusi ka pasur 19.5 tonë”, ju përgjigj prokurori, pas çka Apostollov shtoi se “nuk duhet të shihet ajo”.

Prokurori, duke i bërë pyetje për çështjen në fjalë, i tha ekspertit se ekspertizën nuk e mbështesni në shkencë dhe përllogaritje, por në incizime amatore prej kamerës së telefonit, ndaj çka reaguan avokatët e “Durmos”, të cilët kërkuan që të mos japë konstatime të tilla.

Më tej, Jakimovski e pyeti Apostollovin nëse gjatë përgatitjes së ekspertizës i kanë marrë parasysh dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kanë qenë në autobus dhe shoferëve që kanë lëvizur mbrapa autobusit.

“Gjatë analizës e kemi kaluar tërë materialin për dëshmitarët në autobus dhe shoferët që kanë lëvizur mbrapa. Megjithatë, më shumë ju besojmë provave materiale se dëshmive”, tha Apostollov, duke cituar pjesë të disa dëshmitarëve, të cilat, sipas tij nuk kanë qenë të qëndrueshme.

Në seancat e paraprake avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën makinerike dhe të komunikacionit pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ndërkaq familjarët e viktimave, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.